
Një delegacion 15-anëtarësh i nivelit të lartë i Mianmarit, i kryesuar nga sekretari i përhershëm i Punëve të Jashtme, U Myint Thu, ka mbërritur në rrethin Cox’s Bazar për të takuar refugjatët Rohingya.
“Qëllimi kryesor i ekipit vizitues është të bisedojë me refugjatët Rohingya në mënyrë që t’i bind ata të kthehen në vendin e tyre (Mianmar)”, tha për AA Delwar Hossain, drejtor i përgjithshëm i zyrës së Azisë Jugore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bangladeshit.
Hossain shfaqi shpresën se ekipi nga Mianmari do të informojë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bangladeshit për rezultatin e bisedës me refugjatët Rohingya.
“Por, ne nuk kemi asnjë plan për bisedime zyrtare me delegacion vizitues”, tha Hossain, duke shtuar se vizita mund të luajë një rol të rëndësishëm në bindjen e refugjatëve Rohingya për t’u kthyer në atdheun e tyre në shtetin Rakhinë të Mianmarit.
Në nëntor të vitit 2017, Bangladeshi dhe Mianmari nënshkruan një marrëveshje riatdhesimi, por deri më tani nuk ka pasur asnjë vullnetarë Rohingya për t’u kthyer në Mianmar.
Bangladeshi, shteti që strehon këto refugjatë, në mënyrë të përsëritur ka thënë se nuk do të detyrojë asnjë Rohingya për të zbatuar marrëveshjen e riatdhesimit.
Komunitetet ndërkombëtare po ashtu i kanë bërë thirrje Bangladeshit që të mos detyrojë refugjatët Rohingya të kthehen në Mianmar dhe se i gjithë procesi duhet të zbatohet në baza vullnetare.
Në nëntor të vitit 2018, një hap formal për fillimin e procesit të riatdhesimit u prolongua pasi asnjë nga refugjatët Rohingya nuk pranoi të kthehet në vendin e tyre për shkak të mungesës së sigurisë dhe dinjitetit në Rakhinë.
Ndërkohë, një studim i kryer nga Instituti i Politikave Australiane (ASPI), një institut me bazë në Australi, të mërkurën tha se Mianmari ka “përgatitje minimale” për të mbështetur një kthim të sigurt, dinjitoz dhe të qëndrueshëm të refugjatëve Rohingya që janë strehuar në Bangladeshin fqinj.
Hulumtimi përshkroi statusin aktual të 392 vendbanimeve Rohingya të identifikuara nga Kombet e Bashkuara (OKB) si të dëmtuara ose të shkatërruara gjatë sulmit të vitit 2017 dhe zbuluan më shumë se 320 vendbanime pa asnjë shenjë rindërtimi.
Të mërkurën, ministri i Punëve të Jashtme i Bangladeshit, A.K. Abdul Momen, u tha gazetarëve në kryeqytetin Dhaka se ai shpreson se “riatdhesimi do të fillojë deri në shtator të këtij viti”.
Ndërkohë sot në mëngjes, komandanti i Ndihmës për Refugjatë dhe Riatdhesim (RRRC), Abdul Kalam Azad, tha për AA se siguria u shtrëngua në kampin e refugjatëve në mënyrë që delegacioni të mund të përfundojë në mënyrë paqësore vizitën e tyre në kampet e refugjatëve.
– Persekutimi i popullit Rohingya
Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.
Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.
Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.
Raporti thotë se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.
Sipas organizatës Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.
OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.


