
Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian (BE) në Maqedoninë e Veriut, respektivisht grupi i katërt punues, ka mbajtur mbledhjen e gjashtë ku është diskutuar në lidhje me procesin e vetingut që duhet të zhvillohet në vend.
Në mbledhjen në të cilën u diskutua tema “Vetingu si masë e forcimit të integritetit të institucioneve” të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve, profesorë universitarë si dhe ekspertë vendorë dhe të huaj.
Në deklaratën për mediat, profesoresha universitare Milleva Gjurovska tha se tema e vetingut është njëra nga sferat që i përket kapitullit 24 të BE-së, që ka të bëjë me gjyqësorin, lirinë dhe sigurinë.
Ajo tha se institucionet kryesisht janë të avancuara, por megjithatë nuk janë në gjendje që të fitojnë besimin e qytetarëve.
“Vetingu është proces, vetingu është procedurë e kontrollit përmes së cilës duhet të ruhet integriteti i individëve dhe në këtë mënyrë, përmes këtij integriteti individual të arrihet te integriteti institucional”, tha Gjurovska.
Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Magdalena Nestorovska, tha se në mbledhje është biseduar për vetingun në institucionet e sigurisë, me theks të veçantë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pasi siç theksoi ajo, kjo ministri është më e avancuar në fazën përgatitore.
Ajo tha se është analizuar vetingu si proces, se cilat institucione duhet të përfshijë dhe se sa kohë duhet të zgjasë i njëjti.
“Kur flasim për atë se sa do të zgjatë, kur do të fillojë kush do të përfshihet në proces, për këtë përgjigje do të japë grupi punues që do të fillojë me punë të enjten, më 29 (gusht). Do të krijohet grupi punues në bazë të vendimit respektivisht konkluzionit të Qeverisë dhe ajo deri më 1 tetor duhet të japë përgjigje për të gjitha këto pyetje”, tha Nestorovska.
Në mbledhje e pranishme ishte edhe Andrea Jaleczova nga Autoriteti i sigurisë kombëtare i Sllovakisë, një institucion i pavarur shtetëror për mbrojtjen e informatave të klasifikuara, e cila tha se ka ardhur me qëllim që të ndajë përvojat e realizimit të procesit të vetingut në vendin e saj.
Ajo tha se Sllovakia ka filluar me procesin e vetingut që nga viti 2001, ndërsa institucionet e para që i janë nënshtruar këtij procesi, kanë qenë ato institucione që kanë qasje tek informatat e klasifikuara.


