
Me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores dhe Forcave të Armatosura Turke, që shënon fitoren e Turqisë në betejën e fundit në luftën për pavarësi, Ambasada e Turqisë në Shkup organizoi pritje solemne.
Të pranishëm në këtë eveniment ishin ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, deputetë, ministra, diplomatë, përfaqësues të Bashësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe shumë të ftuar të tjerë.

Ceremonia filloi me intonimin e himneve të dy vendeve, ndërsa më pas u lexua mesazhi i presidentit Recep Tayyip Erdoğan dërguar përfaqësive diplomatike.
Në fjalën e saj, ambasadorja Kara tha se 30 Gushti simbolizon rilindjen e popullit turk, duke shtuar se populli i lashtë turk me këtë fitore dëshmoi se do të luftojë ndaj secilit që cenon pavarësinë e tij.
Kara theksoi rëndësinë që kjo ditë shënohet në Maqedoninë e Veriut, të cilën e cilësoi si një vend i bukur dhe, siç tha ajo, zë vend të rëndësishëm në jetën e personaliteteve të rëndësishme që i dhanë kah historisë dhe të ardhmes së Turqisë me në krye Mustafa Kemal Ataturkun.
“Populli ynë i lavdishëm, i cili inkurajohet nga dashuria për atdheun, eliminoi në mënyrë heroike edhe tentativën tradhtare për grusht shteti të organizuar në mënyrë të poshtër nga organizata terroriste FETO më 15 korrik të vitit 2016 dhe edhe një herë tregoi se nuk frikohet nga askush kur bëhet fjalë për mbrojtjen e shtetit”, tha Kara.

“Turqia do ta vazhdojë luftën kundër terrorizmit me vendosmëri dhe mendjemprehtësi. Dua të theksoj rëndësinë e mbështetjes së të gjithë miqve dhe aleatëve tanë, veçanërisht vendit mik, Maqedonisë së Veriut, në këtë luftë. Ne do të vazhdojmë që në çdo rast t’i japim përgjigjet e duhura terrorizmit, që është një sfidë globale, dhe çdo kërcënimi ndaj sigurisë sonë kombëtare”, shtoi ambasadorja Kara.
Ajo theksoi se populli i Turqisë është në gjendje të bëjë çdo sakrificë për atdheun, ndërsa shtoi se i përkujtojnë me respekt Mustafa Kemal Ataturkun dhe bashkëluftatërt e tij, si dhe të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe veteranët e Luftës për Pavarësi.
Në fund të pritjes solemne, Kara i dhuroi gradën ushtarake zëvendësatasheut ushtarak në ambasadë Göktuğ Güngör, i cili u gradua nga kapiten në major.

Kujtojmë se në këtë ditë, 97 vjet më parë, forcat turke me themeluesin e Republikës moderne të Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, shënuan fitore të madhe kundër forcave greke në Betejën në Dumlupınar, e cila ishte e fundit në luftën e Turqisë për pavarësi mes viteve 1919 dhe 1922.


