
Shkruan: Bedri Hasanaj
Fundi i “PDK-së”! Fillimi i Kosovës!
1.Ne të gjitha raportet ndërkombëtare Kosova karakterizohet me parimet e shteteve të kapura, ku në vend të ligjit vlen forca dhe pushteti klientelist. Kapja fillon prej institucioneve me të larta, ndërmarrjeve publike, institucioneve të pavarura, mediave etj.
Kjo ka bërë që Kosova si shtet i ri, qysh në dekadën e parë të shtetësisë të vuhet buzë dështimit të funksionimit te brendshëm dhe izolimit ndërkombëtar. Siç edhe e dimë shumica e liderëve kane dosje të ndryshme qofte brenda apo jashtë shtetit, kjo ka prodhu një skemë politike qe udhëhiqet dhe merr vendime me shantazh dhe kërcënime me ato dosje. Ne vend se pushteti te orientohej ne politika për mirëqenien dhe jetën e qytetarit, është krijuar strukturë që pushtetin e sheh në shpëtim dhe shërbim të vetvetes dhe grupeve të interesit të lidhura me liderët ne pushtet.
Se Kosova është në prag të falimentimit në aspektin ndërkombëtar, këtë e dëshmojnë më së miri deklaratat e aktereve ndërkombëtar në vend. Kujtojmë deklaratën e ambasadorit britanik O’Connell: “Nuk ka kuptim të harxhojmë kohën tonë duke u përpjekur që të ndihmojmë institucionet e Kosovës kur shumica në Kuvendin e Kosovës nuk kujdeset për këtë, dhe kur individët nuk ndjejnë turp për të marrë punë në mënyrë të padrejtë e të cilën ata nuk mund të bëjnë siç duhet. Nepotizmi, kronizmi, korrupsioni dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën. Durimi i miqve të Kosovës po ftohet. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë, por vetëm nëse vendosin të ndëshkojnë ata që përfshihen në këto praktika”.
2.Përgjegjësia kryesore në kapjen e shtetit bie mbi PDK-në, kujto aferën PRONTO që shpërfaq veç një pjesë të asaj çka ka ndodh në ketë vend. Zyrtarë të lartë të PDK-së, nga kryeministri, ministra, zv ministra të koordinuar në mes vete, në stil mafioz caktonin njerëz nëpër pozicione më të larta shtetërore.
Dështimi institucional, dështimi i sistemit të arsimit, shëndetësisë, gjendja e rëndë socio-ekonomike, varfëria e skajshme, izolimi i shtetit dhe i qytetarëve, abuzim me prona publike, e deri tek eliminimi i kundërshtarëve politik kanë vetëm një adresë, dhe kjo është PDK-ja! E cila gjatë 11 viteve ka udhëheqë shtetin me ideologji të shantazhit, të zhvatjes dhe korrupsionit me struktura të zhytura në krim të organizuar dhe korrupsion.
Gjate kësaj periudhe, normalisht se PDK nuk ka udhëheq e vetme, përpos kapjes dhe zhvatjes së shtetit, e njëjta është shquar për një arrogancë dhe jo sinqeritet edhe ndaj partnerëve qeverisës. Katër qeveritë pas shpalljes së Pavarësisë kane përfunduar mandatin para kohe, thjeshtë prej kalkulimeve të PDK-së. Kjo sot e sjell PDK-në në një izolim, ku asnjë parti në Kosovë nuk dëshiron bashkëqeverisje me të, thjeshtë, ajo mund të vijë në qeveri vetëm si rezultat i zorit, presionit dhe shantazhit qoftë nga brenda apo jashtë.
3.Kohëve te fundit e shohim tendencën e PDK-së për të pranuar një pjesë të fajit për gjendjen aktuale në vend, krejt kjo për të shpërfaq ne popull një fryme të ndryshimit sa për vota dhe pastaj për të vazhduar me avazin e vjetër. Pavarësisht se PDK tenton me e përfaqësu një fryme të tillë, jemi dëshmitar se ç’do dit ajo vazhdon me nepotizëm, punësime partiake dhe favore të ndryshme për njerëzit e saj. Thjesht jemi në situatë ku dhunuesi, edhe gjate aktit të dhunimit, tallet me viktimën se po i vika keq për dhunimin.
Edhe sikur, PDK të kishte njëmend ndarjen nga qeverisjet e kaluara, për gjendjen në te cilën e ka sjell vendin, nuk mjafton përgjegjësia morale, duhet përgjegjësi penale. Përgjegjësi penale, për krimin, për zhvatjen, për tjetërsimin dhe uzurpimin e pronës publike, për ngulfatjen e jetës institucionale në vend, për mbytjen e shpresës tek rinia e vendit, për degradimin e sistemit shëndetësorë, sistemit arsimorë, sistemit të drejtësisë, për falimentimin e ndërmarrjeve publike, për faljen (privatizimin) e ndërmarrjeve dhe tjetërsimin e pronës publike.
Gjendja ne të cilën PDK e ka sjell vendin, ka sjell PDK-në në pozicionin me të pafavorshëm prej vitit 2007 kur ka ardhur në pushtet. Sot ajo e ka sjell veten në një parti të pashpresë, në një parti që votën e ka votë interesi, shantazhi dhe presioni. Votën e ka izoluar thjeshtë në votë klienteliste dhe votë në shkëmbim të favoreve.
Andaj është e domosdoshme, madje jetike për Kosovën që PDK të largohet nga pushteti, ti hapet rrugë reformimit të shtetit, përmirësimit dhe forcimit imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare, kthimit shpresës tek rinia e vendit dhe të vihen para përgjegjësisë penale të gjithë ata që vendin e kanë sjell në një gjendje të tillë.


