
Një shpërthim i fuqishëm me makinë bombë goditi lagjen e misioneve diplomatike të kryeqytetit afgan Kabul, tha një zyrtar.
Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar vdekjen e 10 personave dhe mbi 30 të tjerë të plagosur.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nusrat Rahimi, për AA tha se sulmi vetëvrasës me makinë-bombë ndodhi në zonën Shash Darak në orët e mëngjesit, jo larg Ambasadës së SHBA-së.
Pamjet e sulmit të publikuara nga CCTV, të cilat qarkullojnë në mediat sociale tregojnë se si një minibus sulmoi autokolonën me dy mjete të blinduara në një pikë kontrolli të sigurisë.
Sulmi i dytë vetëvrasës me makinë-bombë goditi Pul-e-Alam, kryeqytetin e provincës lindore Logar.
Zëdhënësi i guvernatorit të krahinës Deedar Lawang u citua nga radio lokale afgane Salam të ketë konfirmuar sulmin.
Talebanët morën përgjegjësinë për të dy sulmet duke thënë se objektiv ishin kolonat e trupave të huaja.
Sulmet kanë ndodhur ndërsa SHBA dhe talebanët njoftuan arritjen e një marrëveshje paqeje në parim pas raundit maratonë të bisedimeve në Doha të Katarit gjatë fundjavës.


