Ministri Ismaili: Duam ta sigurojmë përkrahjen për ITSHKSH-në

Mos i humb

Ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, sot në Shkup realizoi një vizitë pune në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH).

“Sot unë me stafin tim vendosëm t’i bëjmë një vizitë Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Kjo është edhe një vizitë ndër të parat e institucioneve që i vizitojmë në Shkup. Qëllimi i kësaj vizite është të njoftohemi me punën, aktivitetet dhe projektet që i zhvillon ky institucion, të njoftohemi me stafin”, tha Ismaili para gazetarëve.

“Gjithashtu kjo vizitë e imja është me një fjalë edhe një përkrahje për aktivitetin e mahnitshëm që e bën ky institucion. Me këtë vizitë duam gjithashtu ta sigurojmë përkrahjen tonë në të ardhmen për punën që e pret këtë institucion dhe ta përshëndesim dhe të dëshmojmë se ne gjithmonë do të jemi pranë institutit”, shtoi Ismaili.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha se në dy vitet e kaluara, Ministria e Kulturës, si asnjëherë më parë ka mbështetur institutin në veprimtarinë e tij botuese dhe shkencore si dhe në të gjitha sferat e veprimtarisë së tij.

“Është për t’u pasur lakmi një bashkëpunim i tillë, sepse shqiptarët deri para dy viteve nuk kanë pasur një përkrahje të duhur ndaj kulturës dhe traditës shqiptare dhe ministri, edhe i mëparshëm, por edhe ky i tanishëm, në vazhdimësi po i përkrah projektet e institutit dhe instituti po e rikthen me botime, punë dhe me veprimtarinë e tij të bujshme. Veprimtarinë tonë të cilën e përkrah Ministria e Kulturës, jo vetëm në vend, por edhe në botë, në qendrat më relevante botërore, neve po na mundëson që ta prezantojmë kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore si dhe të njihen edhe me vlerat që kanë shqiptarët e Maqedonisë”, tha Asani.

“Unë dua të veçoj se në kuadër të Ministrisë së Kulturës, drejtoritë të cilat veprojnë, të cilat i udhëheqin shqiptarët, për së pari herë kemi një bashkëpunim të thellë mes këtyre drejtorive dhe institutit dhe unë e përgëzoj edhe ministrin e tanishëm që po jep kontribut të jashtëzakonshëm në përkrahje të këtij instituti, sepse është institucioni i vetëm i shkencës dhe i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve këtu, por edhe në sferat e tjera për aftësinë, për komunikimin edhe me popujt e tjerë, me maqedonasit, me turqit dhe komunitetet e tjerë, kështu që instituti po bëhet një qendër relevante shkencore dhe ndërlidhje me komunitetet e tjera falë edhe përkrahjes së jashtëzakonshme të Ministrisë së Kulturës”, deklaroi Asani.

Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët se deri ku ka arritur puna për përfundimin e Teatrit Shqiptar në Shkup, ministri Ismaili tha se disa javë më parë ka pasur një kërkesë të re nga teatri për fonde shtesë në vlerë prej 60 milionë denarëve. Ai tha se kërkesa është parashtruar në një seancë qeveritare dhe i është dorëzuar Ministrisë së Financave, duke shtuar se fondet tashmë duhet t’i jenë dorëzuar teatrit. Ismaili shprehu besim se me këtë, punët duhet të përfundojnë deri në fund të vitit.

Ministri Ismaili u pyet gjithashtu nga gazetarët se deri ku ka arritur Projektligji për Realizimin e Interesit Publik në Kulturë. Ai informoi se dje kanë pasur një takim me grupin punues për këtë ligj dhe shtoi se ligji është vënë në dispozicion në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Vetëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, është përfunduar dhe disa dispozita janë përfshirë në ligj, si dhe se ka mbetur një pjesë e mëtejshme e rregullimit ose akteve, me çka ligji duhet të rrumbullakohet për shqyrtim të mëtutjeshëm në një seancë qeveritare dhe më pas në Parlament.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit