
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, njofoi se paqe e vërtetë është e mundur vetëm nëse kryengritësit pajtohen për armëpushim dhe bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë.
Kjo ndodhi disa orë pasi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump pezulloi bisedimet e paqes me talebanët.
Presidenti afgan, i cili ka shprehur shqetësimet në rritje për marrëveshjen e propozuar mes SHBA-ve dhe talebanëve, tha se qeveria e Kabulit vlerëson përpjekjet e sinqerta të aleatëve të saj dhe se është e angazhuar për të punuar bashkë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë për të siguruar paqe të qëndrueshme në vend.
“Populli dhe Qeveria e Afganistanit kërkojnë një paqe dinjitoze dhe të qëndrueshme dhe janë të përkushtuar të bëjnë çdo përpjekje për të siguruar paqen në vend. Qeveria e konsideron kokëfortësinë e talebanëve për të rritur dhunën kundër afganëve si pengesë kryesore për negociatat e paqes”, thuhet në një kumtesë të Presidencës në Kabul.
Trump tha se udhëheqësit e talebanëve dhe presidenti afgan po vinin për takime të ndara në Camp David, por se i kishte anuluar takimet.
“Fatkeqësisht, ata (talebanët) me qëllim për të arritur një gjë të gabuar morën përsipër sulmin në Kabul që i kushtoi jetën 11 personave dhe 1 ushtarit tonë të madh”, shkroi Trump në llogarinë e tij në Twitter.
Talebanët morën përgjegjësinë për sulmin me bombë që ndodhi të enjten në Kabul.
Nëse gjatë këtyre bisedimeve thelbësore të paqes, ata nuk janë dakord për armëpushim dhe vrasin 12 njerëz të pafajshëm, atëherë do të thotë që ata ndoshta nuk kanë fuqinë e mundshme për të negociuar një marrëveshje kuptimplotë”, tha Trump.
Njoftimi i presidentit amerikan vjen disa ditë pasi përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-ve në Afganistan, Zalmay Khalilzad, kishte arritur një marrëveshje parimore me talebanët.
Në një intervistë për median “Tolo News” nga Afganistani, ai tha se forcat amerikane do të braktisnin pesë baza ushtarake në Afganistan në 135 ditët e para pas nënshkrimit të marrëveshjes.


