Ankara/New York
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se vendi i tij prej kohësh ka mbështetur përpjekjet për të zgjidhur çështjen e Qipros, por se para çdo negociate të re palët duhet të identifikojnë kornizën për një zgjidhje.
Komenetet e kryediplomatit turk erdhën në selinë e OKB-së në New York, në margjinat e takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kur Çavuşoğlu bisedoi me homologun e tij të Qipros Greke, Nikos Christodoulides.
Kur Christodoulides propozoi që Çavuşoğlu të pajtohet me një model të federatës për Qipron dhe të zgjasë dorën, Çavuşoğlu nuk pranoi duke theksuar se, “Së pari duhet të vendosim se për çfarë do të negociojmë, një zgjidhje me dy shtete apo diçka tjetër”.
Duke pretenduar se një federatë e përbashkët është zgjidhja e vetme për çështjen e Qipros, Christodoulides tha se “harroni dy shtete ose konfederatën”.
Duke theksuar rëndësinë e një procesi “të orientuar drejt rezultatit”, Çavuşoğlu tha se Turqia prej kohësh mbështeti të gjitha përpjekjet për një zgjidhje në ishull, përfshirë planin e Annan-it në vitin 2004, të cilin e mbështeti Turqia dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) por u refuzua nga Qiproja Greke si dhe bisedimet e vitit 2017 në Crans-Montana të Zvicrës.
Çavuşoğlu tha se “opsionet e reja” duhet të vlerësohen pasi procesi i fundit i bisedimeve përfundoi pa ndonjë rezultat.
Në vitin 1974, pas një grusht shteti që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia, Ankaraja duhej të ndërhynte si një fuqi garantuese. Në vitin 1983 u themelua TRNC.
Në dekadat që nga ajo kohë janë bërë disa përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen, por të gjitha dështuan.
E fundit në vitin 2017 në Crans-Montana, e mbajtur me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, Turqia, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar, po ashtu përfundoi pa rezultat.
Në vitin 2004, në dy referendume, plani i Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, u pranua nga Qiproja Turke, por u refuzua nga Qiproja Greke.
Bisedimet janë përqendruar në një model federal, bazuar në barazinë politike të të dyja palëve, por ndërhyrja dhe refuzimi i Qipros Greke për një zgjidhje të tillë, përfshirë planin e Annan-it, çuan në paraqitjen e modeleve të reja.
Në një raport të fundit, Sekretari i Përgjithshëm aktual i OKB-së, Antonio Guterres, poashtu tha se “ide të reja” ndoshta janë të nevojshme për një zgjidhje në ishull.


