
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka biseduar sot me kreun e Aleancës së NATO lidhur me marrëveshjen e arritur me SHBA-të për pauzimin e operacioneve kundër-terroriste të Turqisë në veri të Sirisë.
Çavuşoğlu dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, biseduan në vazhdën e marrëveshjes së arritur të enjten vonë, në bazë të së cilës Turqia do të pauzojë operacionin “Burimi i Paqes” për 120 orë për të mundësuar tërheqjen e organizatës terroriste YPG/PKK nga zona e planifikuar e sigurtë.
Si anëtar i Aleancës që nga viti 1952, Turqia radhitet me ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, pas SHBA-së.
Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.
Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.


