
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare të presidentit të ri të Parlamentit Evropian (PE), David Sassoli, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ai ka qëndruar në Kuvend ku ka mbajtur edhe një fjalim.
Në hapjen e seancës, kryeparlamentari Talat Xhaferi tha se në Kuvend është ftuar kreu shtetëror, duke përfshirë presidentin, kryeministrin, kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese dhe institucionet tjera relevante, përfaqësues të komuniteteve fetare, si dhe diplomatë të huaj.
Gjatë fjalimit të tij në Kuvend, Sassoli tha se ka ardhur në Maqedoninë e Veriut për të treguar se ndan ndjenjën e zhgënjimit për moscaktimin e datës për fillim të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një gabim historik, por për një pauzë historike, pasi sipas tij, nga Këshilli i BE-së nuk kishte një “Jo” përfundimtare.
Presidenti i PE-së gjatë fjalimit të tij gjithashtu tha se vështirësitë duhet të shikohen me optimizëm, duke shtuar se vërejtjet dhe rezervat që kishin disa vende anëtare do të rishikohen.
Në konferencën e përbashkët për media të dy kryetarëve të kuvendeve, Xhaferi tha se Sassoli ka dëshmuar se është një mik i sinqertë dhe i përkushtuar i Maqedonisë së Veriut.
“Letrën që e dërguat te Këshilli Evropian pak para takimit të tyre, Rezoluta e miratuar javën e kaluar në Strasburg, nisma e kryeministrit italian (Giuseppe) Conte dhe kuptohet paraprakisht 10 rekomandimet e BE-së dhe konkludimet optimiste të Këshillit të BE-së në vitin 2018 dhe 2019, janë indikator i qartë për fortësinë e bindjes sonë se jemi në rrugë të drejtë, se kemi mbështetje të plotë të qytetarëve tanë dhe se kemi miq të vërtetë në PE të vazhdojmë me intensitetin dhe dinamikën e njëjtë të bërjes së reformave në shoqërinë tonë”, tha Xhaferi.
Nga ana tjetër, presidenti i PE-së theksoi se një mundësi është humbur, por do të bëhet gjithçka që të krijohet një mundësi e re.
“Nuk u tha qartë ‘jo’, por vetëm u prolongua vendimi. Fuqia jonë përbëhet në atë se të gjitha institucionet evropiane, Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian, janë në të njëjtin mendim se duhet të fillojë procesi i anëtarësimit. Praktikisht vetëm është prolonguar marrja e vendimit dhe jemi të sigurt se atë që e thanë shtetet e caktuara si vërejtje, do ta rregulllojnë në drejtim të korrigjimit të vendimit që do ta marrim në të ardhmen”, tha Sassoli.
Gjatë qëndrimit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, presidenti i PE-së realizoi takim dypalësh me kryetarin Xhaferi, si dhe takim me kryetarët e grupeve parlamentare.
Sassoli ka takuar edhe presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, ndërsa gjatë ditës së djeshme ai u prit nga kryeministri Zoran Zaev. Kjo është vizita e parë zyrtare jashtë Bashkimit Evropian e presidentit të ri të PE-së.


