
Ndarja e çmimit Nobel për shkrimtarin kontrovers austriak dhe mohues të gjenocidit në Srebrenicë, Peter Handke, hasi në kritika dhe dënime të shumta nga mbarë bota.
Fotoreporterë të njohur, të cilët raportuan nga Sarajeva e luftës dhe pjesë tjera të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), iu bashkuan këtyre dënimeve dhe në rrjetet sociale publikuan fotografi autoriale që dëshmojnë gjenocidin dhe gjithë brutalitetin e periudhës së agresionit në BeH.
Ata shpërndanë fotografitë dhe porositë e tyre në Twitter me hashtagun (shenjë) #NobelPrize #Handke #BosniaWarJournalists.
Nisma dhe ftesa për fotoreporterët e luftës për të botuar fotografitë e tyre nga BeH, të bëra gjatë luftës 1992-1995, erdhi nga Peter Maass.
Fotografi Santiago Lyon, i cili u plagos në ushtrimin e detyrës gjatë luftës në Bosnjë, tha se ky ishte një turp i madh për Çmimin Nobel dhe vetë Handke.
“Turp për Çmimin Nobel dhe turp për Handke për shkak të verbërisë dhe mohimit të vetëdijshëm të gjenocidit në Bosnjë. Kam qenë aty si fotoreporter dhe i kam parë nga dora e parë”, tha Lyon.
Ai shpërndau një foto ku shfaqet një grua e vdekur në njërën prej rrugëve të Sarajevës, ndërsa në fotografinë qëndron përshkrimi: “Një grua e vrarë nga një snajperist serb në qershor të vitit 1992”.
Fotoreporterja Nina Berman shpërndau një foto të një gruaje muslimane, viktimë e përdhunimit gjatë luftës në BeH, të cilën e vërejti në një spital në Tuzëll. Berman shkroi se “serbët në luftë përdorën përdhunimin si strategji për kryerjen e spastrimit etnik”.
Edhe një fotoreporter i njohur botëror i luftës Ron Haviv, fotografitë e të cilit të luftës nga Kroacia dhe BeH-ja rrethuan botën, shpërndau një fotografi të tij të regjistruar në Bijeljinë, në mars të vitit 1992, në të cilën shihet se si një pjesëtar i Tigrave të Arkanit me këmbë godet civilët e vrarë.
“Pastrimi etnik, 2 Mars 1992, ushtarët paramilitarë serbë të njohur si Tigrat e Arkanit, Bijeljina, Bosnjë. Viktimat civile muslimane Abdurahman dhe Hamieta Pajaziti, Aisha Shabanoviç”, shkroi Ron Haviv nën fotografinë e tij.
Anthony Loyd, një fotoreporter i “The Times”, ka ndjekur luftën në BeH, Kosovë, Afganistan, Irak, Çeçeni, Sierra Leone, Libi dhe Siri.
Me rastin e ndarjes së Çmimit Nobel për Handke, në Twitter shpërndau një fotografi të një gruaje me fustan të grisur, duke e përshkruar atë si një grua që u gjet pranë rrugës pas disa javësh që kaloi në një kamp serb.
“Ne që kemi qenë atje e dimë dhe mbajmë mend realitetin e luftës”, shkroi Loyd.
Fotoreporteri Javier Bauluz shpërndau një fotografi të dy vogëlusheve boshnjake, prapa të cilëve mund të shihen varreza, ndërsa mesazhin e shkroi në anglisht dhe spanjollisht.
“Isha atje (në BeH) si fotoreporter lufte. Ndarja e Çmimit Nobel për Handke është si lajm i rremë. Të gjithë e dimë se atje (në Bosnjë) ka pasur gjenocid”, shkroi Bauluz.
Roger M. Richards, një fotoreporter dhe regjisor që erdhi në Sarajevë në vitin 1992 dhe qëndroi shumë kohë pas rrethimit, autor i filmit “Trendafilat e Sarajevës” (Sarajevo Roses), shpërndau disa fotografi që diskutojnë luftën në BeH, ndërsa në vazhdën e ndarjes skandaloze të Çmimit Nobel për Handke.
Në mesin e tyre është fotografia e bërë në Potoçar në vitin 2009, në 14 vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, kur u varrosën 534 viktima të gjenocidit.
“Varreza kolektive e vitit 2009 të 534 viktimave (në mesin e mbi 8.000) burrave dhe djemve boshnjakë të vrarë nga forcat e Millosheviçit-Karaxhiçit-Mlladiçit”, shkroi Richards nën fotografi.


