
Presidenti Ilir Meta po zhvillon një takim me Ervin Salianjin në zyrën e tij në Presidencë. Takimi vjen, një ditë pasi Gjykata e Tiranës dënoi me një vit burg ish-deputetin për ‘kallëzim të rremë’ për rastin ‘Babale’.
Në lidhje me këtë takim pritet që Presidenca të japë dhe një deklaratë për shtyp mbi fokusin e takimit mes Metës dhe ish-deputetit Salianji.
Dje, ish-deputeti e cilësoi vendimi si ‘politik’ duke akuzuar dhe gjyqtarin e çështjes Artan Gjermenin si person të inkriminuar dhe anëtar të bandës së Lushnjës.
Të njëjtin qëndrim mbajti dhe kreu i PD-së në një dalje për mediat i cili paralajmëroi kryeministrin Rama se me gjyqe politike nuk do të mund ti mbyllë gojën opozitës për të thënë të vërtetat të cilat lidhin këtë maxhorancë qeverisëse me krimin e organizuar.
Rasti ‘Babale’ u bë publik nga PD më shumë se një vit më parë ku në disa përgjime audio personazhi në fjalë, Albert Veliu, dyshohej se bisedonte me vëllain e Fatmir Xhës, Agron Xhafën për trafik droge.
Ky i fundit pas bërjes publik të rastit u nis drejt Italisë vullnetarisht për të shlyer dënimin e mbetur për llogari të drejtësisë italiane, dhe u shfajësua nga vetë kryeministri Rama i cili menjëherë pas daljes në dritë të këtij përgjimi tha se ishte marrë personalisht me ekspertizën e audios dhe se nuk ishte zëri autentik i vëllait të ish-ministrit të Brendshëm.
Nga ana tjetër menjëherë më pas prokuroria nisi hetimet ndaj Ervin Salianjit, Albert Veliut, Fredi Alizotit dhe gazetarit Jetmir Olldashi me akuzën ‘kallëzim i rremë’.
Fredi Alizoti ishte një personazh i cili hyri më pas në skenë duke pretenduar se i ishin premtuar 200 mijë dollarë nga PD dhe një deputet me mbiemrin Salianji që të aktronte zërin e Agron Xhafës në audion e regjistruar për afera kriminale.


