
Trupat e pajetë të Turan Sevi dhe Mehmet Kaplan, të cilët vdiqën të shtunën në një sulm terrorist në kryeqytetin e Somalisë, Mogadisho, u sollën në Ankara me një avion ambulancë të Forcave të Armatosura Turke (TSK). I njëjti aeroplan solli edhe 16 qytetarë somalezë të plagosur në këtë shpërthim.
Trupat e dy turqve u dërguan në spital për t’ua dorëzuar më pas familjeve. Kurse somalezët e plagosur u shpërndanë në spitale të ndryshme të kryeqytetit.
Ministri i Shëndetësisë, Fahretin Koxha (Fahrettin Koca) në deklaratën që bëri në aeroport, ku kishte shkuar për të pritur aeroplanin, shprehu keqardhjen e tij duke mallkuar shpërthimin në vendin mik dhe vëlla të Somalisë. Koxha shtoi se një avion ambulancë, që i përkiste Forcave të Armatosura Turke (TSK), u dërgua menjëherë në Somali me një ekip mjekësor prej 20 vetë.
Duke vlerësuar gjendjen shëndetësore të somalezëve të plagosur, ministri Koxha vuri në dukje se 4 nga 16 të plagosurit janë në gjendje të rëndë. Sipas tij, për momentin ata mbahen të shtruar në reanimacion.
Sulaiman Muhammad Karsi, zv.ambasadori i Somalisë në Ankara, duke falënderuar Turqinë dhe Presidentin Erdogan për ndihmën e tyre, tha: “Turqia na mbështet gjithmonë. Vëllezërit duken në ditë të vështira. Turqia është vendi ynë vëlla.”



