Akar: Përpjekjet e Turqisë synojnë zgjidhje politike në Libi

Mos i humb

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, ka deklaruar se përpjekjet e Turqisë, si në Libi ashtu edhe në Idlib, synojnë të zgjidhin krizën me mjete politike dhe të sjellin paqe dhe prosperitet në rajon.

Akar priti përfaqësuesit e mediave në Ankara, ku foli për zhvillimet e fundit në rajon dhe më gjerë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me komentet se “armëpushimi në Libi nuk është i mundur”, Akar theksoi se “Ne nuk mund ta themi këtë, përpjekjet për armëpushim vazhdojnë”.

“Përpjekja e Turqisë është për gjetjen e një zgjidhjeje politike në Libi dhe Idlib, arritjen e paqes dhe ndaljen e gjakderdhjes”, tha Akar.

Ai po ashtu theksoi se në konferencën në Berlin, që do të mbahet të dielën mbi krizën në Libi, mund të ketë rezultat.

Të hënën në Moskë delegacionet turke dhe ruse zhvilluan bisedime me palët në Libi, ku diskutuan mbi një tekst të përgatitur për marrëveshjen e armëpushimit.

Marrëveshja u nënshkrua nga Fayez al-Sarraj, kreu i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë të njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB), por Khalifa Haftar, komandanti rebel me bazë në lindje të Libisë, mëngjesin e nesërm u largua nga Moska pa nënshkruar marrëveshjen, duke kërkuar afat dyditor për konsultime lokale.

Më 12 janar, palët ndërluftuese të konfliktit libian njoftuan një armëpushim në përgjigje të thirrjes së përbashkët të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe atij rus, Vladimir Putin.

Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tjetra GNA me qendër në Tripoli që gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Në muajin prill, Haftar nisi një ofensivë për pushtimin e Tripolit, veprim i cili u kundërshtua nga komuniteti ndërkombëtar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit