Kroacia mbështetet Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në procesin për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), u theksua sot gjatë vizitës në Tiranë të kryediplomatit kroat, Gordan Grliç-Radman.
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, u takua me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, ndërsa takimi mes dy homologëve u fokusua në disa çështje, si për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriut, angazhimin i Bashkimit Evropian (BE) në Ballkanin Perëndimor, procesin e reformave në Shqipëri, si dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.
Pas takimit, të dy ministrat mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat, ku Cakaj tha se Kroacia i ka dhënë një mbështetje të pakursyer Shqipërisë pas tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar.
“Kroacia si presidencë aktuale e Këshillit të Bashkimit Evropian është duke bërë një punë të jashtëzakonshme për të mbështetur Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në aspiratën e tyre historike për çeljen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Po ashtu përfshirja e Ballkanit Perëndimor në axhendën e presidencës kroate është një veprim që gëzon vlerësimin tonë më të lartë”, u shpreh Cakaj.
Ai theksoi se gjatë takimit kanë vlerësuar rëndësinë e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor sipas tij si një faktor tepër i rëndësishëm për thellimin e reformave të brendshme.
“Shqipëria edhe një herë nënvizoj dhe kjo ishte një pikëpamje që ndamë bashkërisht ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësim. Ky nuk është as qëndrim personal as një opinion politik, por realitet objektiv i dokumentuar tashmë edhe nga Komisioni Evropian. Në të njëjtën kohë ne jemi shumë të inkurajuar e tepër mirënjohës për gatishmërinë e Kroacisë për të ndarë me Shqipërinë përvojën e tyre teknike dhe njohuritë profesionale. Përvoja e Kroacisë është tepër e vyer për Shqipërinë”, tha Cakaj.
Cakaj theksoi më tej se janë pajtuar për të filluar nismën e takimeve trepalëshe dhe të rregullta mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. me qëllim sipas tij bashkërendimin e qëndrimeve politike sipas interesave të përbashkëta dhe zhvillimin e projekteve konkrete, ndërsa shtoi se “Liberalizimi i vizave me Republikën e Kosovës mbetet një domosdoshmëri”.
Ndërsa ministri kroat theksoi se kanë biseduar me ministrin Cakaj rreth procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
“Tema e sotme e diskutimeve tona kishte të bënte me rrugëtimin e evropian të Republikës së Shqipërisë. Duke ardhur sot në Tiranë doja të tregoja mbështetjen e qartë të Kroacisë për një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë pa asnjë vonesë të mëtejshme. Kjo është ajo që kemi shprehur me këmbëngulje edhe te partnerët evropianë”, tha kryediplomati i Kroacisë.
Më tej ai shtoi se dëshirojnë që samiti i Zagrebit i cili do të mbahet në maj të këtij viti të jetë një pikë kthese në rrugëtimin midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
“Edhe një herë do të doja të theksoja angazhimin tonë të vazhdueshëm e të dedikuar si pjesë e presidencës aktuale të Këshillit Evropian për të marrë vendimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ministri kroat.


