Tiranë
Në Shqipëri është rritur në 33 numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19), sipas të dhënave të fundit zyrtare të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në njoftimin e ministrisë thuhet se nga 457 të testuar në total, 33 kanë rezultuar raste pozitive, mes tyre edhe një mjek.
“Në 24 orët e fundit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik në bashkëpunim me epidemiologët e njësive vendore të kujdesit shëndetësor, ka vazhduar pa u ndalur puna në terren, për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara tashmë me COVID-19. Deri në këto momente janë konfirmuar pozitiv me COVID-19, 33 raste”, theksohet në njoftim.
Më tej konfirmohet se nga rastet e konfirmuara pozitiv 19 janë në Tiranë, 5 në Durrës (njëra ka ndërruar jetë), 4 në Fier, nga 2 raste në Elbasan dhe Rrogozhinë dhe një rast në Lushnje.
Ndërkohë, një 73-vjeçare humbi jetën më 11 mars në Shqipëri e cila ishte e konfirmuar si paciente e prekur me koronavirusin e ri (COVID-19), duke shënuar viktimën e parë në vend nga COVID-19.
– Masat kundër përhapjes së koronavirusit në Shqipëri
Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), ku patrullat policore në bashkëpunim me patrullat ushtarake janë angazhuar në pika kontrolli në disa qytete të vendit.
Me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, data 13 mars, është caktuar ditë pushimi për nëpunësit civilë dhe punonjësit e tjerë në administratën publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.
Në kuadër të masave shtesë, është pezulluar transporti urban dhe qarkullimi i automjeteve private në Tiranë dhe Durrës dhe në disa qytete të tjera të vendit. Për shkak të këtyre masave, rrugët e Tiranës janë pothuajse të boshatisura, ndërsa mund të qarkullojnë sipas autorizimeve përkatëse autoambulancat dhe automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror, shërbimet e furnizimit me ushqime dhe disa shërbime të tjera.
Institucionet në vend kanë marrë disa masa të tjera, duke përfshirë mbylljen e të gjitha bareve, restoranteve dhe klubeve, fillimisht në Tiranë dhe Durrës, dhe mbylljen në të gjithë vendin të ambienteve si lokale nate, disko, qendra sportive, pishina, qendra kulturore, qendra sociale dhe pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore.
Në gjithë vendin në institucionet arsimore publike dhe jopublike, është vendosur ndërprerja e procesit mësimor deri më 23 mars.
Gjithashtu është vendosur pezullimi i të gjitha fluturimeve dhe linjave të transportit detar, nga Shqipëri në Itali dhe anasjelltas. Ky vendim, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, prek vetëm transportin e pasagjerëve, pasi do të vijojnë normalisht lundrimet e anijeve tregtare dhe fluturimet e avionëve të mallrave.
Në kudër të masave, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka pezulluar të gjitha aktivitetet futbollistike në Shqipëri.
Kujtojmë se numri global i vdekjeve është afro 5.000, me mbi 135 mijë raste të konfirmuara.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.


