Filipçe: Kemi rreth 120 aparate për frymëmarrje, jemi furnizuar me 50 të tjera

Mos i humb

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, në konferencën për media ka informuar për situatën e fundit të koronavirusit në vend, me ç’rast ka theksuar se nuk janë regjistruar raste të reja.

Duke theksuar se tashmë është lëshuar në mjekim shtëpiak pacientja e parë e infektuar me virusin që tashmë është shëruar, ministri Filipçe tha se 18 pacientët e tjerë janë në gjendje stabile, përfshirë edhe pacienten që trajtohet me aparat për frymëmarrje.

Ai tha se në rajonin e Dibrës dhe Qendër Zhupës, ku është shpallur gjendje krize, do të zmadhohet numri i personave që testohen, duke shtuar se sot apo nesër pritet të testohen deri në 80 persona.

“Në këtë moment testohen 7 pacientë, tre janë persona nga Dibra që kanë dalë nga analizat e djeshme, kontrollet e njerëzve, të gjithë në lidhje me këtë grup të pacientëve dhe ata janë njerëz që kanë simptoma gripi. Më tej, dy pacientë përmes Qendrës së Shëndetit Publik në Shtip dhe dy pacientë në klinikën infektive”, tha Filipçe.

Ministri i Shëndetësisë informoi se sot është mbajtur mbledhja e parë e Shtabit të Krizave në nivel qeveritar, ku siç theksoi ai, përfaqësuesit e departamenteve kanë informuar për gjendjen dhe zbatimin e masave në terren.

Filipçe tha se sot në ora 19:00 është caktuar seancë e Qeverisë, ku do të diskutohet për masat e reja që mund të ndërmerren për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, të njohur zyrtarisht si Covid-19.

Ai tha se Klinika psikiatrike fillon projekt për mbështetje psikologjike përmes telefonit për qytetarët e grupeve të prekura, duke përmendur mes tjerash personat e moshur që ndodhen në vetizolim.

Duke sqaruar gjendjen me aparatet për frymëmarrje, Filipçe tha se në Maqedoninë e Veriut ndodhen rreth 120 aparate, duke shtuar se sipas nevojës mund të përdoren edhe aparetet e spitaleve private ndërsa janë në pritje të përgjigjes nga ambasada kineze për një donacion të mundshëm.

“Ajo që është në dispozicion në spitalet private, 40 janë në një institucion dhe afro 30 në një institucion tjetër privat. Ne po furnizohemi me 50 aparate të cilat i presim deri në fund të kësaj jave, me mundësinë e furnizimit edhe me 50 të tjera, ndërsa presim përgjigje nga ambasada kineze nëse mund të marrim 200 aparate të frymëmarrjes”, tha Filipçe.

Ai përsëriti thirrjen që të qëndrohet në shtëpi dhe të mos dilet pa pasur nevojë, ndërsa duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, Filipçe tha se nuk ekzistojnë teste me të cilat qytetarët mund vetë të testohen nëse janë në infektuar, duke bërë thirrje që qytetarët të lajmërojnë institucionet nëse ka nevojë të testohen.

Filipçe gjithashtu tha se ekipi i çështjeve ekonomike po përpilon disa masa për të parandaluar rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe higjienike, masa të cilat do të prezantohen së shpejti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit