Kosovë, presidenti do të propozojë në Kuvend shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Mos i humb

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me Këshillin e Sigurisë Kombëtare ku ka diskutuar për gjendjen dhe masat që duhet të ndërmerren për të luftuar në mënyrë më efikase pandeminë e virusit COVID-19.

Në një konferencë për media në oborrin e presidencës, Thaçi falënderoi autoritetet kompetente për “heroizmin e tyre” në përballjen e situatës së krijuar në vend nga koronavirusi i ri.

Thaçi tha se në një situatë të tillë do të ishte “papërgjegjësi e madhe injorimi i realitetit të hidhur dhe mosmarrja e të gjitha masave që kemi si shtet dhe shoqëri për parandalimin e një situate edhe më të rënduar për qytetarin dhe gjithë popullatën”.

Takimi me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, sipas Thaçit, ka kaluar “në mënyrë korrekte, konstruktive dhe në të mirë të nevojës së përballimit të gjendjes”.

Thaçi tha se pas konsultimeve që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe me Këshillin e Sigurisë së vendit, si dhe duke u bazuar në përgjegjësitë e tij kushtetuese ka marrë vendim që t’i propozojë Kuvendit shpalljen e “gjendjes së jashtëzakonshme”.

“Do t’i propozoj Kuvendit të Kosovës dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë përfshinë edhe mobilizimin e tërësishëm dhe maksimal të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në gjithë territorin. Ky dekret po ndodh për shkak të fatkeqësisë natyrore, përhapjes së koronavirusit COVID-19”, deklaroi Thaçi, duke shtuar se për risitë të cilat do t’i bashkëngjiten këtij dekreti qytetarët e Kosovës do të mësojnë nesër nga seanca që do të mbahet në Kuvend.

Autoritetet e shëndetësisë në Kosovë së fundmi konfirmuan se në vend janë regjistruar 19 raste të koronavirusit nga gjithsej 284 mostra të dyshimta të testuara.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit