Me 98 vdekje të reja të shënuara në 24 orët e fundit në Iran rritet në 4.683 numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19).
Në një deklaratë të publikuar nga televizioni shtetëror i Iranit, zyrtari për marrëdhënie me publikun në Ministrinë iraniane të Shëndetësisë, Kianoosh Jahanpour, tha se në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë shënuar 98 vdekje dhe 1.574 raste të reja.
Kështu numri i vdekjeve ka arritur në 4.683, ndërsa numri i rasteve në 74.877, njoftoi Jahanpour i cili informoi se 3.691 prej atyre që trajtohen nëpër spitale ndodhen në gjendje kritike.
Më tej zëdhënësi i ministrisë është shprehur se brenda një dite janë shëruar 2.146 persona duke e rritur në gjithsej 48.129 numrin e personave të shëruar.
Jahanpour shtoi se deri më sot në të gjithë vendin numri i personave të testuar për COVID-19 arrin në 287.359.
Pas 14 marsit ku u shënuan 97 vdekje, në Iran vërehet se brenda periudhës 31 ditore, është regjistruar për herë të parë ulje nën 100 brenda një dite në humbjet e jetëve. Po ashtu theksohet se është shënuar rritja më e ulët edhe në numrin e rasteve brenda 22 ditëve.


