Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, zëvendës-kryeministri Bujar Osmani, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ministri i Arsimit, Arbër Ademi dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Vladimir Miloshev, janë në izolim shtëpiak pasi kanë pasur kontakt me kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrovski, i cili sot informoi se është pozitiv ndaj koronavirusit të ri (COVID-19).
Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes njoftimit informoi se të gjithë anëtarët e lartëpërmendur të Qeverisë morën pjesë në takimin e djeshëm të shtabit të krizës në Kumanovë, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës Dimitrievski.
“Në takimin në Kumanovë të gjithë zyrtarët e Qeverisë i respektuan protokollet për mbrojtje dhe mbanin pajisje mbrojtëse. Në këtë moment po bëhen vlerësime epidemiologjike në Kumanovë nga ana e Qendrës lokale për shëndet publik dhe po analizohen kontaktet e kreut të komunës Dimitrievski. Gjatë ditës do të vërtetohet se sa dhe cilët persona do të duhet të qëndrojnë në izolim 14 ditorë”, thuhet në njoftim.
Nga Qeveria informojnë se në Shkup ka filluar anketa e Institutit për shëndet publik me të gjithë anëtarët e Qeverisë që kanë qenë të pranishëm në takim, pas çka do të jepet vlerësim epidemiologjik ndaj rrezikut dhe drejtimet për veprimet e mëtejshme.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte e gatshme për të gjithë skenarët, përfshirë edhe për një situatë të tillë. Puna e Qeverisë vazhdon të zhvillohet pa ndërprerje përmes mjeteve digjitale për komunikim dhe për mbajtjen e takimeve. Edhe në kushte të izolimit vazhdon komunkimi dhe koordinimi i rregullt i të gjitha proceseve në shtet dhe menaxhimi me krizën e koronavirusit”, qëndron në njoftim.
Po ashtu edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, përmes rrjeteve sociale konfirmoi se është në izolim shtëpiak, por theksoi se si deri tani, Ministria e Shëndetësisë me rregull dhe në kohë do të informojë për gjendjen me COVID-19 në vend.


