Punonjësit e pastrimit të gjelbërimit kanë gjetur këtë të shtunë dy pistoleta, në rrugën “Pjetër Budi”.
Armët janë gjetur pranë spitalit privat, ku merrte mjekim Eduart Lamaj para arrestimit.
Lamaj akuzohet si autori kryesor i ekzekutimit të dy biznesmenëve në Laç, Paulin Gjergji Marku si dhe shokun e tij Bujar Lika (Hasani).
Ndërkohë, për ngjarjen reagon edhe Policia e Shtetit, e cila thekson se armët dyshohet se janë përdorur në ngjarjen kriminale të vrasjes së biznesmenëve.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna hetimore intensive dhe e pandërprerë për dokunentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më 30 maj 2020, në autostradën Mamurras-Lezhë, në fshatin Gjormë, Kurbin, ku mbeten të vrarë me armë zjarri dy shtetas dhe u plagos një tjetër.
Në vijim të veprimeve të kryera, në rrugën “Pjetër Budi”, në një pusetë pas klinikës ku mjekohej ilegalisht autori i dyshuar i vrasjes, u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta që dyshohet se janë përdorur në ngjarjen kriminale.
Më parë, falë informacioneve policore u bë i mundur lokalizimi i autorit, kapja e prangosja e tij, si dhe prangosja e dy mjekëve që mjekonin ilegalisht autorin e dyshuar.
Vijojnë veprimet nga Komisariati i Policisë Kurbin, DVP Lezhë, në bashkëpunim me DVP Tiranë në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë Kurbin, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.


