Liderët e Bashkimit Evropian (BE) do të zhvillojnë një takim të jashtëzakonshëm të mërkurën për të diskutuar situatën e fundit në Bjellorusi.
Konferenca u thirr të hënën nga Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian.
“Njerëzit e Bjellorusisë kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre dhe të zgjedhin lirshëm udhëheqësin e tyre”, shkroi Michel në një postim në mediat sociale, duke njoftuar vendimin e tij.
“Dhuna ndaj protestuesve është e papranueshme dhe nuk mund të lejohet”, shtoi ai.
Takimi i krerëve të shteteve dhe qeverive do të mbahet përmes një video-lidhjes.
Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së ranë dakord të premten të ndërmarrin hapat e parë për të përgatitur një listë sanksionesh ndaj “individëve të përfshirë në shkeljet e të drejtave të njeriut dhe falsifikimin e rezultateve të zgjedhjeve në Bjellorusi”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell gjithashtu theksoi se blloku hedh poshtë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.
Protestat kundër rezultateve vazhduan të dielën në gjithë Bjellorusinë.
Në tetë ditët e protestave, dhjetëra mijëra bjellorusë kanë demonstruar kundër Lukashenkos, duke brohoritur me parulla dhe duke mbajtur flamurin kuqebardhë të cilin Bjellorusia e ka përdorur para vitit 1995.
BE-ja në mënyrë të përsëritur u ka kërkuar autoriteteve bjelloruse që të ndalojnë dhunën kundër protestuesve javën e kaluar.
Të paktën dy shtetas bjellorusë u vranë në protesta. Sipas Komisioneres së Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, 6.000 njerëz raportohet të jenë arrestuar.
Sipas rezultateve zyrtare të zgjedhjeve të shpallura të premten e kaluar, presidenti i Bjellorusisë Alexandar Lukashenko fitoi me 80,1 për qind të votave, ndërsa liderja e opozitës Svetlana Tikhanovskaya u rendit e dyta me vetëm 10,12 për qind.


