Vendet evropiane të shqetësuara për puçin ushtarak në Mali

Mos i humb

Autoritet e Gjermanisë, Spanjës dhe Britanisë së Madhe kanë shprehur shqetësimin për shkak të puçit të djeshëm ushtarak në Mali, përmes të cilit presidenti i këtij vendi afrikan Ibrahim Boubacar Keita u detyrua të shpërndajë parlamentin, qeverinë dhe të japë dorëheqje.

Shefi i diplomacisë gjermane, Heiko Maas deklaroi se Berlini zyrtar është thellë i shqetësuar me lajmet nga Mali.

“Dënojmë ashpër tentimin e ushtrisë që në mënyrë jokushtetuese të përmbysë pushtetin në Mali”, theksoi Maas në njoftimin me shkrim.

Maas tha se Gjermania mbështet thirrjen e Komuniteteve ekonomike të vendeve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) për rimëkëmbje urgjente të rendit kushtetues në Mali.

“Ushtarët duhet të kthehen në kazerma, ndërsa zyrtarët e qeverisë duhet të lirohen”, porositi Maas.

Më pas u bë thirrje që të gjitha palët t’i japin fund dhunës dhe betejës për një Mali të qetë, stabil dhe demokratik.

“Populli i Malit gjatë viteve të kaluara pësoi mjaft dhunë ndërsa ngjarjet e fundit nuk kontribuojnë në vendosjen e stabilitetit dhe pajtimit”, tha Maas.

Një mesazh i ngjashëm u postua në Twitter nga ministri i Britanisë së Madhe për Afrikën, James Duddridge, i cili deklaroi se Londra është kundër ndryshimeve jokushtetuese të qeverisë dhe se ajo mbështet përpjekjet dhe pozicionet e ECOWAS-it.

“Presidenti dhe zyrtarët e Malit duhet të lirohen menjëherë. U bëjmë thirrje për respektimin e rendit kushtetues”, tha Duddridge.

Ministria spanjolle e Punëve të Jashtme po ashtu lëshoi një porosi të ngjashme mbështetjeje për përpjekjet e ECOWAS-it.

Presidenti i Malit, Keita, kryeministri Boubou Cisse dhe disa zyrtarë të lartë u arrestuan të martën gjatë një grushti shteti të kryer nga një pjesë e forcave të armatosura të vendit.

Keita dhe Cisse u dërguan në kampin ushtarak Kati, që ndodhet 15 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Bamako. Më herët, u njoftua se në kampin ushtarak u dëgjuan të shtëna dhe se pati përçarje midis forcave të armatosura mbi grupet që filluan kryengritjen dhe palës që i qëndruan besnike presidentit Keita.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit