Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), Naser Ramadani kanë vizituar sot Shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë.
Zemaj i cili u takua me të moshuarit, pa nga afër kushtet e 68 të moshuarve që janë të vendosur në këto ambiente në rrethanat e reja të krijuara nga pandemia me koronavirusin e ri (COVID-19).
“Ajo çfarë pamë ishte një përkushtim i stafit në trajtimin e të moshuarve ndoshta edhe kufizimin e lëvizjes, sepse kemi të bëjmë me një kategori të të moshuarve dhe që kërkon kujdes shtesë duke pasur parasysh moshën dhe ndonjë sëmundje eventuale përcjellëse. Mendoj që ky angazhim duhet të vlerësohet. Kushtet dhe rrethanat janë këto që ofron Shtëpia e Pleqve”, tha Zemaj.
Ai gjithashtu tha se në kuadër të kësaj vizite kanë sjellë disa pajisje mbrojtëse dhe dezinfektues, “që sadopak t’i dalim në ndihmë këtij komuniteti”.
Drejtori i politikave sociale në këtë Shtëpi, Mentor Morina tha se aktualisht në këtë qendër janë 13 banues rezidentë të cilët janë pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19).
“Shumica e klientëve që kanë rezultuar pozitiv, tani pas testimit të dytë kemi rezultate negative. Aktualisht kemi 13 klientë rezidentë të cilët janë pozitiv dhe po trajtohen në repart të veçantë, i dedikuar vetëm për rezidentët të cilët janë pozitiv me koronavirus”, tha Morina.
Kreu i IKSHPK-së, Naser Ramadani tha se aktualisht Kosova është duke shkuar drejt përmirësimit të gjendjes së menaxhimit të virusit, duke shtuar se “në kohën kur në shumicën e vendeve të Evropës ka rritje të numrit me të infektuar, në Kosovë ka rënie”. Kjo sipas tij, po bëhet për shkak të respektimit të masave.
Në Kosovë, nga të dhënat e fundit të IKSHPK-së deri më tani pozitiv me koronavirusin e ri kanë dalë 13.454 persona, nga të cilët 525 kanë vdekur dhe 9.595 janë shëruar.


