“Alexei Navalny ka qenë viktimë e një sulmi kimik me një agjent nervor të grupit ‘Noviçok’. Ky helm mund të identifikohet në mënyrë të pagabueshme nga analizat. Është e qartë se Alexei Navalny është viktimë e një krimi. Kanë dashur ta bëjnë të heshtë, dhe unë, bashkë me gjithë qeverinë gjermane, e dënoj këtë veprim në mënyrë më të fortë të mundshme”.
Kështu deklaroi Kancelarja gjemrane Angela Merkel pasi më parë qeveria që ajo drejton deklaroi se kryeopozitari rus ishte helmuar. Me indinjatën e kancelares u bashkuan edhe liderët botërorë që të gjithë sëbashku dënuan aktin.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se “Ky është një akt i neveritshëm dhe frikacak dhe bëri thirrje që autorët e krimit të vihen para drejtësisë.”
Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme në Bashkimin Europian, Josep Borrell u shpreh se Unioni dënon me forcë helmimin e Navalny dhe shtoi se “Përdorimi i armëve kimike si Novichok me të cilin është helmuar opozitari i Kremlinit, është plotësisht i papranueshëm dhe në shkelje të ligjeve ndërkombëtare”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dënoi përdorimin e agjentit nervor duke e konsideruar aktin ‘tronditës’ dhe në vazhdim të deklaratës së tij ai u shpreh se do të vazhdojë konsultimet me aleatët.
Kryeministri britanik Boris Johnson e konsideroi përdorimin e kësaj lënde kimike si tejet të rëndë dhe i bëri thirrje qeverisë ruse të shpjegojë atë që i ka ndodhur Navalny-t.
Edhe Zëdhënësi sekretariatit të sigurisë kombëtare të SHBA John Ullyot u shpreh se “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga rezultatet e publikuara. Helmimi i Alexei Navalny është plotësisht i dënueshëm”.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se autoritetet ruse janë “të gatshme dhe të interesuara për bashkëpunim të plotë dhe shkëmbim informacioni”. Ndërkohë që Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova akuzoi se Gjermania po jep deklarata publike pa dhënë asnjë fakt.
Dje qeveria gjermane deklaroi se kryeopozitari rus është helmuar dhe se testet e kryera në mostrat e marra kanë treguar për praninë e një agjentit nervor të epokës Sovjetike, ‘Novichok’ me të cilin gjithashtu u helmua edhe ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe vajza e tij në Britani.
Zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert, tha se testimi nga një laborator i posaçëm ushtarak gjerman kishte treguar prova të “një agjenti nervor kimik nga grupi Novichok”.
Seibert tha gjithashtu se qeveria gjermane do të informojë partnerët e saj në Bashkimin Europian dhe NATO rreth rezultateve të provave. Ai u shpreh se do të konsultohet me partnerët “për një përgjigje të përshtatshme të përbashkët ndaj Rusisë”.
Më herët partnerët perëndimorë të Rusisë, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, kishin bërë thirrje për një hetim transparent mbi helmimin e Navalny kurse Kremlini kishte sugjeruar në vend të kësaj të mos dilet në përfundime të nxituara për atë që ka ndodhur me kryeopozitarin derisa të ketë prova të sakta për helmimin e disidentit.
Navalny, i cili është një nga kritikët më të ashpër të Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht gjatë një fluturimi nga qyteti Tomsk për në Moskë. Pas një ulje emergjente në Omsk, politikani u shtrua në spital në kujdesin intensiv në spitalin e qytetit siberian.
Pasi mjekët rus hoqën dorë nga kundërshtimi për ta lejuar atë të transferohej në Gjermani, familja arriti që ta çonte 44-vjeçarin në një klinikë në Berlin, ku stafi mjekësor konfirmoi tezën e helmimit, tezë kjo që është mohuar me forcë nga Moska


