Shikoni grafikun e mësipërm. Ai nuk tregon vetëm rritjen e transaksioneve në CIPS (Cross-Border Interbank Payment System), sistemi kinez i pagesave ndërbankare ndërkufitare i krijuar si alternativë ndaj SWIFT-it të udhëhequr nga SHBA, por edhe një ndryshim më të gjerë gjeoekonomik në zhvillim.
Në sfondin e tensioneve të reja në Ngushticën e Hormuzit, ku përplasen interesa strategjike globale mbi naftën dhe sigurinë energjetike, po diskutohet gjithnjë e më shumë edhe roli i monedhave në tregtinë ndërkombëtare. Dollari amerikan mbetet ende dominues, duke përfaqësuar rreth 80% të pagesave globale në tregtinë mes vendeve, por zhvillimet e fundit po ushqejnë debatet mbi një ngadalësim të mundshëm të kësaj supremacie.
Sipas të dhënave të CIPS, vëllimi ditor i transaksioneve ndërkufitare në juan është rritur ndjeshëm: nga rreth 619,7 miliardë juan në shkurt, në 920,4 miliardë në mars, dhe deri në 1.220 miliardë juan në muajin aktual. Ky përfaqëson një rritje të fortë brenda pak javësh, në një kohë kur shumë vende po kërkojnë alternativa ndaj sistemit financiar të dominuar nga dollari.
Në këtë kontekst, raportimet ndërkombëtare theksojnë edhe përpjekjet e disa aktorëve për të përdorur monedha alternative në tregtinë ndërkufitare, përfshirë juanin dixhital dhe kriptomonedhat, në disa raste edhe në marrëveshje tregtare të lidhura me transportin detar në rajonin e Hormuzit.
Ekspertët janë të ndarë mbi ndikimin afatgjatë të këtyre zhvillimeve. Disa analistë të Deutsche Bank sugjerojnë se mund të shfaqet gradualisht një “petroyuan”, nëse Kina arrin të zgjerojë përdorimin e monedhës së saj në tregtinë e naftës në Gjirin Persik. Të tjerë, si ekonomisti Eswar Prasad, theksojnë se kufizimet strukturore të ekonomisë kineze dhe mungesa e konvertueshmërisë së juanit e bëjnë të vështirë një zëvendësim real të dollarit.
Ndërkohë, zhvillimet në sistemet e pagesave digjitale po shihet si një tjetër front konkurrues mes fuqive ekonomike globale, ku Kina synon të forcojë rolin e saj përmes teknologjive financiare dhe pagesave të menjëhershme ndërkufitare.
Megjithatë, shumica e ekspertëve bien dakord se, pavarësisht rritjes së përdorimit të juanit dhe sistemeve alternative, dominimi i dollarit në ekonominë globale mbetet ende i fortë dhe i vështirë për t’u sfiduar në afat të shkurtër.


