Dy persona u vranë, dhjetë u plagosën rëndë dhe tetë më lehtë në përleshjet midis migrantëve në vendbanimin Zhegar në Bihaç, në veriperëndim të Bosnje dhe Hercegovinës.
Lajmin e konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Alle Shildediç, zëdhënës i policisë në kantonin Una-Sana. Incidenti ndodhi mbrëmjen e së mërkurës.
“Bëhet fjalë për pakistanezë, që thuhet se i kanë sulmuar afganët. Plagët janë shkaktuar me armë të ftohta”, tha Shildediç.
Sipas tij, hetimet janë në vazhdim e sipër.
Vlerësohet se aktualisht në Bosnje dhe Hercegovinë ndodhen rreth 8,500 migrantë dhe refugjatë. Rreth 6000 prej tyre janë vendosur në shtatë qendra pranimi.