Raportuesja Speciale e OKB-së: Të publikohet vlerësimi i CIA-s mbi vrasjen e Khashoggit

Mos i humb

BAYRAM ALTUĞ

Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ekzekutime Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, Dr. Agnes Callamard, kërkoi që vlerësimi i CIA-s për përgjegjësinë e Princit të Kurorës të Arabisë Saudite Mohammed bin Salman në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi të bëhet publik.

Raportuesja Speciale Callamard bëri vlerësime për AA përmes video-konferencës për përvjetorin e dytë të vrasjes së Khashoggit në Konsullatën e Arabisë Saudite më 2 tetor 2018.

“Kjo është mbi të gjitha një ndjenjë e pikëllimit. Është një pikëllim i thellë për gruan e Jamalit, për fëmijët, një pikëllim i thellë për ata që e njohën, që punuan me të dhe ëndërruan me të. Jam e sigurt që sot është një ditë për t’u kujtuar me dhimbje dhe zemërim”, tha Callamard në lidhje me vrasjen e kolumnistitit të Washington Post, Khashoggi, një nga gazetarët me ndikim të Lindjes së Mesme.

Duke deklaruar se “shteti i Arabisë Saudite vrau” Khashoggin, Callamard tha se mendon se është arritur shumë në drejtim të zbulimit të personave përgjegjës për vrasjen në dy vitet e fundit.

“Nga ana tjetër, ndryshe nga pritjet tona, sipas mendimit tim dhe të të tjerëve, bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë efektive në zbulimin e përgjegjësisë së shtetit saudit dhe ngurrimit për llogaridhënien e kriminelëve përgjegjës”, theksoi Callamard.

“Nuk mund të jemi peng i sistemit gjyqësor të Arabisë Saudite”

Duke theksuar se ajo do të vazhdojë të bëjë presion mbi bashkësinë ndërkombëtare në muajt e ardhshëm, Callamard tha:

“Unë nuk pres shumë nga Arabia Saudite. Për fat të keq, nuk prisja shumë kur fillova hetimin një vit e gjysmë më parë. Ne nuk mund të jemi peng i sistemit gjyqësor të Arabisë Saudite. Sepse e dimë se sa u nënshtrohet ndërhyrjeve politike. Fatkeqësisht, seancat nga janari i vitit 2019 deri në shtator 2020 kanë përforcuar dyshimet tona. Kjo është arsyeja pse duhet të kërkojmë diku tjetër drejtësi. Për Jamalin, drejtësia nuk duhet të zhvillohet në një gjykatë (në Arabinë Saudite)”.

“Khashoggi u vra me miratimin e Mohammed bin Salman”

Callamard e përsëriti vlerësimin e saj të bërë në një deklaratë për AA më 11 korrik, kur kishte theksuar se “i dyshuari kryesor” për vrasjen e Khashoggit ishte Princi i Kurorës i Arabisë Saudite Mohammed Bin Salman.

“Pa njohurinë dhe pëlqimin e plotë të Princit të Kurorës, Khashoggi nuk do të kishte gjasa të vritej në këtë mënyrë”, tha Callamard.

Ajo nënvizoi se është një fakt që këshilltarët më të afërt të Mohammed bin Salman gjithashtu luajtën një rol në “fazën e para-planifikimit” të vrasjes, duke shtuar se të gjitha faktet tregojnë se “urdhri për të vrarë Khashoggin” ishte dhënë nga Princi i Kurorës, qoftë kjo në mënyrë indirekte.

Megjithatë, Callamard theksoi se personalisht nuk ka gjetur “prova materiale” që vrasja e Khashoggit është “drejtpërdrejt” e lidhur me Mohammed bin Salman, ndërsa në këtë pikë iu referua inteligjencës amerikane.

“Kjo është arsyeja pse puna dhe informacionet e mbledhura nga shërbimet e inteligjencës amerikane janë të rëndësishme. Kjo është arsyeja pse ne duhet të vazhdojmë të kërkojmë që vlerësimi i CIA-s mbi përgjegjësinë e Mohammed bin Salman në vrasje të bëhet publik”, tha Callamard.

Lëvdata për gjyqësorin turk

Duke nënvizuar se është pothuajse e pamundur që Princi i Kurorës të gjykohet në sistemin gjyqësor në Arabinë Saudite, Callamard tha se në vend të nxitësve të vrasjes, u gjykuan “vrasësit e angazhuar”.

Duke krahasuar gjyqësorin në Turqi dhe Arabinë Saudite, Callamard u shpreh e kënaqur për përgatitjen e aktakuzës së dytë për gjashtë të dyshuar sauditë nga Prokuroria e Përgjithshme Publike e Stambollit.

“Unë jam e kënaqur nga përparimi i Turqisë në procedura. Iu gëzova faktit që pas aktakuzës së parë në korrik, u përgatit aktakuza e dytë në shtator. Mendoj se të gjitha këto janë të rëndësishme për tërësinë e hetimit në Turqi. Tani është e rëndësishme që provat të bëhen publike dhe t’i prezantohen komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi Callamard.

Mbështetje për bojkotin e disa kryebashkiakëve ndaj Arabisë Saudite

Callamard gjithashtu mirëpriti hapin e kyretarëve të bashkive të New York-ut, Los Angeles-it dhe Parisit, së bashku me kryetarin e Londrës Sadiq Khan, për të mos marrë pjesë dhe mos dërguar përfaqësues në samitin ndërkombëtar të organizuar këtë javë në kuadër të presidencës së Arabisë Saudite në G20.

Raportuesja Speciale e OKB-së deklaroi se media ndërkombëtare që vazhdon të aktualizojë vrasjen gjithashtu luajti një rol në hapat e tillë të kryetarëve të bashkive të disa qyteteve “më të mëdha dhe më me ndikimin në botë”, pavarësisht investimeve të mëdha të sipërmarrësve sauditë.

Callamard deklaroi se jo vetëm ajo, por edhe e fejuara e Khashoggit, Hatice Cengiz, dhe fushatat e kryera nga organizatat e të drejtave të njeriut ishin efektive në marrjen e këtyre vendimeve.

“Unë do të vazhdoj të vëzhgoj hapat e ndërmarrë nga Arabia Saudite. Gjatë misionit tim, unë do të siguroj që OKB-ja të ndërhyjë dhe të mos injorojë atë që i ndodhi Khashoggit”, u shpreh ajo.

Raportuesja Speciale Callamard u caktua nga OKB-ja për të hetuar vrasjen e Khashoggit.

Në raportin prej 101 faqesh të përgatitur nga Callamard në kuadër të Komisariatit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) dhe të publikuar në qershor 2019, Arabia Saudite fajësohet për vrasjen e qëllimshme dhe me paramendim të Jamal Khashoggit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit