Rusia ka konfirmuar shifra të reja rekord që nga përhapja e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
Për të tretën ditë me radhë, vdekjet e shkaktuara nga COVID-19 shënojnë shifra rekorde. Gjatë 24 orëve të fundit u regjistruan 366 viktima të reja, pothuajse 10 për qind më të larta krahasuar me një ditë më parë.
Po ashtu gjatë ditës së fundit 17.717 persona të tjerë u diagnostikuan pozitiv me koronavirus, duke e rritur numrin e rasteve aktive me këtë virus në 368.351, përderisa numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara që nga shpërthimi i pandemisë ka tejkaluar shifrën 1,57 milionë.
Ndërkohë, numri i pacientëve të shëruar nga koronavirusi ka shkuar në rreth 1,18 milionë, përfshirë 14.740 pacientë të shëruar gjatë 24 orëve të fundit.
Dje në një takim me qeverinë, presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi se në funksion të përkeqësimit të situatës pandemike, kabineti alokoi fonde prej 5 miliardë rubla (700 milionë dollarë) për të furnizuar pacientët në trajtimin ambulator me ilaçe falas dhe fonde prej 10 miliardë euro (1,4 milionë dollarë) për të mbështetur disa rajone.
Zv/kryeministrja ruse, Tatyana Golikova, nga ana tjetër, njoftoi se në 38 rajone ekziston një trend i qëndrueshëm i rritjes së infeksioneve, ndërsa në 18 rajone situata është e paqëndrueshme dhe në 29 relativisht e qëndrueshme.
Rajonet rekomandohen të ndalojnë ngjarjet masive nga ora 11 në mbrëmje deri në orën 6 të mëngjesit, si dhe forcim të masave sanitare dhe kundër pandemisë për njerëzit mbi moshën 65-vjeçare dhe për ata që vuajnë nga sëmundje kronike.
Golikova po ashtu tha se analiza e karakteristikave klinike tregoi se kujdesi mjekësor për deri në 70 për qind të pacientëve mund të sigurohet në baza ambulatore, por duhet të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur që kur shfaqen simptomat e para.
Aktualisht 2 mijë mjekë, 128 mijë punonjës mjekësor, një personel i ri mjekësor prej 58 mijë personash, si dhe mbi 24 mijë studentë universitarë, 11 mijë praktikantë dhe 500 mësues ofrojnë ndihmë për pacientët e prekur nga COVID-19 në Rusi.
Duke filluar nga dje, mbajtja e maskave është bërë e detyrueshme në transportin publik, parkingjet, ashensorët dhe vendet publike.
Anna Popova, shefja sanitare, tha se nëse situata vazhdon të përkeqësohet, autoritetet mund të imponojnë masa më të rrepta.
Që kur u shfaq dhjetorin e kaluar në Kinë, sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, në mbarë botën janë konfirmuar mbi 44,52 milionë raste të koronavirusit, përfshirë mbi 1,17 milionë viktima dhe mbi 30 milionë të shëruar.
SHBA, India dhe Brazili aktualisht janë vendet më të prekura nga pandemia. Rusia renditet vendi i katërt me rreth 1,58 milionë raste më pak se Brazili.


