Tetëmbëdhjetë peshkatarë italianë, të cilët qëndruan të burgosur në Libi për tre muaj, u liruan sot, bëri të ditur Ministria e Jashtme italiane, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri italian, Giuseppe Conte dhe ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio udhëtuan në Bengazi për lirimin e peshkatarëve sicilianë, të cilët u kapën nën akuzat e shkeljes së ujërave libiane.
OKB-ja ka qenë qenë drejtpërdrejt e përfshirë në gjetjen e një zgjidhjeje për lirimin e detarëve.
Milicët e gjeneralit renegat Khalifa Haftar i rrëmbyen ata më 1 shtator dhe që nga ajo kohë, ata ishin në paraburgim në kazermat e Bengazit.
“Peshkatarët tanë janë të lirë”, shkroi Di Maio në një postim në Facebook. “Pas disa orësh, ata do të jenë në gjendje të përqafojnë familjet dhe të afërmit e tyre”.
Ai falënderoi inteligjencën italiane dhe trupin diplomatik “që kanë punuar për t’i rikthyer ato”.
Roma vazhdon të mbështesë “në mënyrë të vendosur” procesin e stabilizimit në Libi, tha Di Maio. “Kjo është ajo që unë dhe kryeministri Giuseppe Conte ia kemi ritheksuar sot Haftarit, gjatë takimit tonë në Bengazi”.
Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i sunduesit të ndjerë, Muammar Gaddafi në vitin 2011.
Qeveria e Pajtimit Kombëtar u themelua në vitin 2015 në një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje afatgjate dështuan për shkak të sulmit ushtarak nga forcat besnike të Haftarit. Ai nisi një sulm në kryeqytetin Tripoli në prill të vitit 2019 por u shty prapa.


