Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, tha se lufta ekonomike e SHBA-së e zhvilluar kundër Iranit në periudhën e Donald Trump ka dështuar dhe po përjeton ditët e fundit të saj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim pas takimit të Këshillit të Ministrave të mbajtur në Teheran, Rouhani bëri vlerësime lidhur me sanksionet e SHBA-së, marrëveshjen për programin bërthamor dhe kritikat kundrejt qeverisë.
“Për çështjen e marrëveshjes bërthamore topi është në fushën e Washingtonit dhe ne do t’i përmbahemi angazhimeve nëse edhe pala përballë i përmbahet angazhimeve”, tha Rouhani.
Presidenti iranian theksoi se “Lufta ekonomike kundër Iranit ka dështuar dhe po përjeton ditët e fundit të saj. Jemi në situatë më të mirë në krahasim me një apo dy muaj më parë në aspektin e zhvillimit ekonomik. Ne kemi të drejtë të kërkojmë nga evropianët, ndërsa ata nuk duhet të bëjnë kërkesë. Ne pritëm një vit dhe ata vazhdimisht premtuan, por nuk i përmbushën ose nuk mundën t’i përmbushin”.

“Lënia e lirë e mjedisit virtual nuk është e drejtë, por edhe pengimi është i gabuar”
Lidhur me gjykimin e ministrit të Komunikimit dhe Teknologjive të Informacionit, Mohammad Javad Azari Jahromi, presidenti Rouhani kritikoi autoritetin gjyqësor.
Për këtë çështje Rouhani tha:”Bandwidth (gjerësia e brezit) në internet është një shërbim i madh për vendin dhe askush nuk duhet të gjykohet për këtë. Kjo punë është kryer me udhëzimin tim. Nëse do të gjykoni dikë duhet të më gjykoni mua. Bandwidth është luftë kundër korrupsionit. Askush nuk mund të kundërshtojë luftën kundër korrupsionit. Nëse do thërrisni dikë sepse lufton kundër korrupsionit, më thirrni mua dhe jo ministrin tim”.
Bandwidth në internet dhe mjedisi virtual formojnë mundësi punësimi dhe biznesi në fushën e elektronikës, tha Rouhani, duke rikujtuar se në kushtet e pandemisë edhe arsimi kryhet nëpërmjet internetit.
“Lënia e lirë e mjedisit virtual nuk është e drejtë, por edhe pengimi është i gabuar. Po të mos ishte mjedisi virtual si do të kontrollonim të sëmurët me korona? Mjedisi virtual ka shërbyer në shëndetin dhe lumturinë e popullit”, tha Rouhani i cili reagoi ndaj ndalesave ndaj internetit në vend dhe i cili vuri në dukje se ashtu si në realitet edhe në jetën virtuale mund të kryhen krime.


