Aktivistët arakanas thirrje komunitetit ndërkombëtar: Ndaloni ushtrinë e Mianmarit

Mos i humb

ŞERİFE ÇETİN

Aktivistët dhe mbrojtësit arakanas për të drejtat e njeriut, pas puçit ushtarak në Mianmar i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t‘i thonë “ushtrisë mjaft tashmë”.

Kyaw Win, drejtori ekzekutiv i Rrjetit për të drejtat e njeriut të Birmanisë (BHRN), në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) lidhur me pyetjen nëse pritej apo jo një puç ushtarak vuri në dukje se ka afruar dalja e detyrueshme në pension e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing.

Për këtë arsye Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, ndodhet nën presion, tha Win i cili rikujtoi se Hlaing në të njëjtën kohë kritikohet për shkak të krimeve të cilat duhet të cilësohen si gjenocid kundër muslimanëve të Arakanit.

Win tha se me arrestimet në kuadër të puçit ushtarak, synohet të shtypen kritikat brenda dhe ato ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë Hlaing ka për qëllim të arrijë “fuqi të pafund” ashtu sikurse diktatorët ushtarakë në të kaluarën në Mianmar.

Pasi bëri të ditur se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Hlaing dhe liderët e tjerë kryesorë ushtarakë janë një nga pikat më kryesore të hetimit të zhvilluar në kuadër të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) lidhur me pretendimet për gjenocid kundër ushtrisë së Mianmarit, Win vuri theksin se do të rritet presioni që personat në fjalë të “japin llogari”.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të thotë “mjaft tashmë”

Lidhur me ndikimin e puçit ushtarak mbi muslimanët e Arakanit, Win tha se “Edhe qeveria civile dhe ushtria kanë qenë të dëmshme në nivel të barabartë për qytetarët e Arakanit”.

Është shumë e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të japë një përgjigje efektive ndaj zhvillimeve të fundit, tha Win i cili bëri thirrjen se “Komuniteti ndërkombëtar duhet të thotë ‘Mjaft tashmë‘ dhe duhet të zbatojë sanksione të rënda kundër gjeneralëve të ushtrisë”.

“U rikthye diktatura ushtarake”

Ndërsa Nay San Lwin, partneri themelues i Koalicionit “Rohingyat e Lirë” i cili mbështet muslimanët arakanas në Evropë tha se e mendonin që mund të ndodhte një puç ushtarak pasi Partia e Zhvillimit dhe Solidaritetit për Unitet (USDP) e mbështetur nga ushtria humbi zgjedhjet e 8 nëntorit 2020.

Duke rikujtuar se ushtria mori qeverisjen për një vit, Lwin shtoi se pas kësaj ushtria duke shpërbërë kushtetutën ose me rrugë të tjera do të kërkojë të qëndrojë për një kohë më të gjatë në qeveri.

“Nuk mendoj se ushtria do të dorëzohet lehtë. Në Mianmar është rikthyer diktatura ushtarake”, tha Lwin.

“Situata për muslimanët e Arakanit mund të përkeqësohet edhe më tepër”

Pasi tërhoqi vëmendjen se muslimanët e Arakanit ndodhen për më shumë se 40 vite nën gjenocid dhe presion, Lwin tha se “Për muslimanët e Arakanit nuk ka ndryshim mes qeverisë ushtarake dhe qeverive civile. Ose nuk do ketë asnjë ndryshim ose situata për muslimanët e Arakanit mund të përkeqësohet edhe më tepër”.

Më tej Lwin rikujtoi se bota është dëshmitare që liderja civile Aung San Suu Kyi ka mbrojtur ushtrinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

Një prej gjërave më të rëndësishme që duhet të bëhet aktualisht është shpërbërja e kushtetutës së shkruar nga ushtria në vitin 2008, tha Lwin i cili shtoi se në të njëjtën kohë duhet të ndërmerren procedura edhe ndaj fajtorëve që kanë kryer gjenocid.

“Vendi duhet të administrohet nga qeveria civile, por qeveria në fjalë duhet të heqë dorë nga politikat që kënaq shumicën dhe shtyp pakicën”, tha Lwin.

Komuniteti ndërkombëtar duhet sigurojë që të përfundojë gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës ndaj pakicës, deklaroi Lwin i cili shprehu se “Komuniteti ndërkombëtar duhet të kujdeset për të gjitha pakicat etnike në Mianmar dhe jo vetëm një grup njerëzish që të qëndrojnë vetëm në qeveri”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit