Koreja e Jugut dënon dhunën e forcave të sigurisë kundër protestuesve në Mianmar

Mos i humb

Koreja e Jugut dënoi ndërhyrjen e armatosur të forcave të sigurisë ndaj protestuesve kundër grushtit të shtetit në Mianmar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, në një postim në median sociale tha se duhet të përfundojë menjëherë dhuna kundër protestuesve paqësorë në Mianmar. “Dënojmë shtypjen e dhunshme që ushtarët dhe policia përdorin ndaj protestuesve si dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve kryesisht të lideres së Mianmarit, Aung San Suu Kyi”.

Përfaqësuesja speciale e OKB-së për Mianmarin, Christine Schraner Burgener u ka bërë thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që së bashku të kalojnë në veprim kundër ushtrisë së Mianmarit e cila zbaton dhunë ekstreme ndaj kundërshtarëve të grushtit të shtetit.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Ndërkohë Turqia dënoi grushtin e shtetit ndërsa kritika dhe reagime të ndryshme erdhën edhe nga vende të ndryshme perëndimore.

Qytetarët e Mianmarit me 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën të paktën 58 protestues dhe vazhdon burgosja e mbi 1.500 personave të tjerë.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrestim.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit