Liderët e Bashkimit Evropian, gjatë samitit të mbajtur në Bruksel, kanë paralajmëruar se deri në fund të vitit, blloku do të dhurojë së paku 100 milionë doza të vaksinave në vendet më pak të zhvilluara, ku do të përfitojë edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Kroacia ishte vendi i parë që bëri publike dhënien e një donacioni prej 10.000 dozave të vaksinës për Kosovën dhe një sasie tjetër dhe për Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën. Pikërisht këto tri shtete të rajonit janë duke ngecur më së shumti në procesin e vaksinimit.
Burimet nga BE-ja kanë paralajmëruar se Austria, Hungaria, Polonia dhe Sllovenia, së shpejti do të japin falas vaksina për këto shtete të rajonit. Kosova pritet që të përfitojë një numër të konsiderueshëm të vaksinave, që do të jepen donacion nga këto shtete. Nga këto donacione do të përfitojnë edhe Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi.
Këto donacione të vendeve anëtare të BE-së do të jenë doza shtesë pas më shumë se 600.000 dozave që BE-ja tashmë ka ndarë për vendet e Ballkanit.
Ndonëse në rajon situata epidemiologjike duket mjaft e mirë, ditëve të fundit në BE-ja tërheqin vërejtjen se në rast se gjatë verës nuk merr hov procesi i vaksinimit, vala e re e pandemisë mund të kthehet në vjeshtë, siç kishte ndodhur edhe vitin e kaluar./REL


