Policia greke ka sekuestruar 23 kg heroinë dhe ka vënë në pranga 2 persona, një shtetas turk, 50 vjeç dhe një shqiptar, 43 vjeç, të cilët dyshohet se janë anëtarë të bande ndërkombëtare të trafikut të heroinës. Operacioni për arrestimin e tyre është kryer në autostradën Selanik-Athinë.
50-vjeçari ka transportuar me kamion ngarkesën e lëndës narkotike, ndërkohë që mediat fqinje bëjnë me dije se droga vinte nga Turqia.
Deri më tani bëhet me dije se në parkun e makinave, afër daljes në Veria, turku është takuar me shqiptarin, i cili ka marrë dy çanta shpine që përmbanin gjithsej 23 pako heroinë, me peshë totale 23 kg dhe 126 gram.
Lëvizjet e tyre janë monitoruar nga policia greke, e cila ka ndërhyrë në momentin e duhur, duke bërë të mundur ndaljen e makinës së drejtuar nga shqiptari, të ngarkuar me drogë.
Në të njëjtën kohë autoritetet kanë arrestuar edhe bashkëpunëtorin e tij 50-vjeçar. Sipas llogaritjeve, sasia e heroinës do të katërfishohej, duke kapur në treg një vlerë prej 90 milionë eurosh.


