Dy raketa të tjera të shkrepura sot nga terroristët e PYD/PKK-së në Siri goditën provincën kufitare Hatay të Turqisë, në vazhdën e operacionit të udhëhequr nga Turqia kundër terroristëve në Sirinë veriperëndimore.
Sipas korrespondenti të AA-së në terren raketat kanë rënë në murin e një shtëpie në lagjen Gultepe të qarkut Reyhanli të Hatay-it.
Nga sulmi u plagos një civil i cili është dërguar në spital. Shtëpia dhe makina gjithashtu u dëmtuan.
Policia, zjarrfikësit dhe paramedikët erdhën në vendin e ngjarjes.
Forcat turke i janë përgjigjur menjëherë sulmit me obusë të tipit “Furtuna”.
Ndryshe, më 20 janar, Turqia nisi Operacionin “Dega e Ullirit” për të larguar terroristët e PYD/PKK-së dhe DEASH-it nga Afrini në veri të Sirisë.
Operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve turq dhe rajonit si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve, ka njoftuar Shtatmadhoria e Turqisë.
Sipas Shtatmadhorisë, operacioni zhvillohet në kuadër të së drejtës së Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes sipas kartës së OKB-së dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë./Rtv islam/


