Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ndihet “i pikëlluar” nga mospërfshierja e tij në “Raportin e Kremlinit” të publikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke shtuar se “Rusia duhet të fokusohet në çështjet e saj të brendshme”.
Putin mori pjesë në një eveniment në kryeqytetin e Rusisë në Moskë, ku foli në lidhje me Raportin e Kremlinit të përgatitur nga Departamenti Amerikan i Thesarit dhe prezantuar në Kongres, në të cilin përfshihen rekomandimet për vënien e sanksioneve për zyrtarë qeveritarë rusë, biznesmenë të nivelit të lartë dhe persona të shumtë të afërt me Kremlinin.
Duke theksuar se raporti është një hap armiqësor i ndërmarë nga qeveria e SHBA-ve, Putin tha se “Ata që kanë përgaditur raportin janë duke e dëmtuar shtetin e tyre dhe duke i prishur marrëdhëniet Moskë-Washington”.
Putin tha se Rusia do t’i shmanget hapave në drejtim të hakmarrjes.
“Jam i pikëlluar që emri im nuk përfshihet në raport”, tha ai, duke shtuar se “Rusia duhet të fokusohet në çështjet e saj të brendshme”.
Raporti i Kremlinit
Departamenti Amerikan i Thesarit dje i prezantoi Kongresit Amerikan Raportin e Kremlinit, ku përfshihen emrat e kryeministrit të Rusisë Dimitriy Medvedev, ministrit të Jashtëm Sergey Lavrov, ministrit të Mbrojtjes Sergey Shoygu, ministrit të Energjisë Aleksandr Novak, zëdhënësit të Kremlinit Dimitriy Peskov, të një numri të madh të ministrave, deputetëve dhe menaxherëve, si dhe të biznesmenëve të shumtë të cilët kanë pasuri në vlerë prej më shumë se një miliardë dollarë.
Në këtë listë përfshihen gjithsej 210 emra. Në dokument thuhet se emrat në fjalë nuk ndodhen në listën e sanksioneve dhe se aktualisht nuk është bërë ndonjë kufizim në bazë të asaj që thuhet në dokument./Rtv islam/


