Kreu i Partisë kryesore opozitare Republikane Popullore (CHP), të hënën, shprehu “mbështetjen e tij të plotë” për operacionin “Dega e Ullirit” në Afrin të Sirisë.
Duke folur për ligjvënësit gjatë një takimi të grupit parlamentar në kryeqytetin e Ankarasë, Kemal Kiliçdaroglu tha se grupet terroriste përgjatë kufijve turq jo vetëm që përbëjnë rrezik për Turqinë, por edhe për vendet që mbështesin ato grupe.
Kiliçdaroglu tha se Turqia nuk do të lejojë kurrë asnjë prani terroriste përgjatë kufijve të saj jugorë.
“Të gjithë së bashku duhet t’i themi “Jo” terrorizmit” tha ai.
“Ne japim mbështetjen tonë të plotë për operacionin Afrin”, shtoi Kiliçdaroglu.
Më 20 janar, Turqia nisi Operacionin “Dega e Ullirit” për të larguar terroristët e PYD/PKK-së dhe DEASH-it nga Afrini në veri të Sirisë.
Operacioni synon të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve turq dhe rajonit si dhe të mbrojë popullin sirian nga shtypja dhe mizoria e terroristëve, ka njoftuar Shtatmadhoria e Turqisë.
Sipas Shtatmadhorisë, operacioni zhvillohet në kuadër të së drejtës së Turqisë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të drejtat e vetëmbrojtjes sipas kartës së OKB-së dhe duke respektuar integritetin territorial të Sirisë./Rtv islam/


