Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti Konventën e Parë të organizuar nga “Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës”, me temë: “Familja shqiptare përgjatë dekadave të tranzicioni dhe paradigma të tjera”, që u zhvillua në ambientet e Hotel “Tirana International”.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, personaliteteve të larta të shtetit, deputetëve të Kuvendit, udhëheqësve të bashkësive fetare, përfaqësuesve të pushtetit qendror dhe vendor, akademikëve, përfaqësuesve të organizatave joqeveritare dhe mediave si të trupit diplomatik, Presidenti Meta u shpreh:
“Të nderuar anëtarë dhe aktivistë të Koalicionit Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës,
Të nderuar personalitete të fushave të ndryshme, deputetë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe qëndrore,
Të nderuar zonja dhe zotërinj!
Është kënaqësi që marr pjesë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm dhe do të donim të kishim më shumë tema të tilla që na bashkojnë dhe na kujtojnë themelin e gjithçkaje që i përkasim.
Familja është institucioni më i qëndrueshëm mbi të cilin është ndërtuar jeta shoqërore që nga fillesat e saj.
Ajo luan një rol shumë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm për të na bërë njerëz më të mirë individualisht, dhe po kështu edhe qytetarë më të dobishëm e më të përgjegjshëm për shoqërinë tonë.
Familjet e shëndetshme rrisin fëmijë të lumtur, të suksesshëm, me vlera të larta njerëzore dhe me angazhime të rëndësishme shoqërore, duke e mbajtur brezin e ri sa më larg veseve të kohës.
Familja është djepi ku rritet brezi i ri dhe ku ndërtohet e garantohet e ardhmja e një vendi.
‘Dashuria për atdheun lind nga dashuria për familjen,’ – na ka mësuar Sami Frashëri, ndaj edhe përkushtimi ndaj familjes na forcon dhe na bën një komb më vital e më të bashkuar.
Shfrytëzoj këtë rast t’u shpreh mirënjohje të thellë të gjitha bashkësive fetare në vendin tonë dhe drejtuesve të tyre, të cilët në mënyrë të vazhdueshme japin mesazhe shumë të rëndësishme mbi vlerat dhe rëndësinë e institucionit të familjes.
Dua të falënderoj shoqërinë civile, të gjitha ato organizata dhe institucione vendase e të huaja, të angazhuara prej vitesh në mbrojtje të drejtave të fëmijëve dhe grave, të të pastrehëve dhe jetimëve, si edhe që kanë dhënë një ndihmesë të madhe ekonomike dhe edukative ndaj familjeve më në nevojë.
‘Mbrojeni familjen tuaj!’ – është mesazhi që na jep edhe Papa Françesku. ‘Jini streha e mbrojtjes së jetës!’
E drejta e jetës, është një e drejtë universale, e përcaktuar në legjislacionin tonë, ashtu sikurse edhe në Nenin 3 të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, ndaj të cilës duhet të përmbahemi dhe të punojmë vazhdimisht si shoqëri, për ta mbrojtur atë dhe të gjitha të drejtat themeltare të përcaktuara në Konventën Europiane të Drejtave të Njeriut, duke luftuar paragjykimin dhe diskriminimin, në çdo formë e pa asnjë dallim.
Tradita shqiptare ka si qendër të saj familjen.
Vlerat dhe zakonet tona kombëtare janë kultivuar pranë vatrën familjare.
Por familjet shqiptare janë gjendur vazhdimisht në kushte dhe rrethana të vështira për shkak të varfërisë, dhunës në familje, mungesës së arsimimit dhe përkrahjes sociale, si edhe të plagës më të madhe që po përjeton shoqëria jonë, të largimit masiv nga vendi.
Ndaj lufta kundër varfërisë dhe dhunës në familje – ndëshkueshmëria e dhunës ndaj grave, fëmijëve dhe të moshuarve – politikat sociale më përfshirëse – lufta ndaj përjashtimit social – përmirësimi i standardeve të jetesës – një arsim më i mirë – zhvillimi i qëndrueshëm i vendit – respektimi i të drejtave të njeriut – dhe krijimi i mundësive të punësimit, duhet të jenë prioritete në çdo politikë e në çdo strategji.
Po kështu fuqizimi sa më shumë i pozitës së gruas në familje dhe në shoqëri.
Nevojiten politika më të veçanta mbështetëse dhe efikase ndaj grave kryefamiljare, nënave të vetme me fëmijë, për të patur siguri ekonomike dhe standarde më të mira të jetës dhe edukimit për fëmijët, si edhe për të garantuar integrimin e tyre në shoqëri me dinjitetin dhe krenarinë që u takon.
Lufta kundër varfërisë dhe forcimi ekonomik i familjeve shqiptare në tërësi do të ndihmojë që prindërit të mos jenë të detyruar të largohen nga fëmijët dhe familjet e tyre, që të rinjtë të mos i lenë të vetmuar prindërit e tyre, dhe po kështu të largohen nga atdheu i tyre, për të ndërtuar diku tjetër një të ardhme më të mirë.
Një familje e shëndetshme sjell vetëm përfitime në çdo sektor të jetës dhe zhvillimit të vendit. Ajo kontribuon në harmoninë dhe në paqen shoqërore, dhe kjo kontribuon edhe përtej vendit.
Siç na ka mësuar Shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza: ‘Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde!’
Prandaj sa më shumë ta duam familjen, aq më shumë do të duam Atdheun dhe do të jemi ambasadorë të paqes kudo ku të jemi dhe kudo ku do të jetojmë.
Edhe një herë dua t’ju falënderoj për ftesën dhe për këtë temë të jashtëzakonshme!
Famija, atdheu, kombi! Se Zoti vetë e tha me gojë që kombet shuhen përmbi dhè, por Shqipëria do të jetojë, për të, për të luftojmë ne!
Duke luftuar për familjen, garantojmë Shqipërinë dhe garantojmë edhe të ardhmen e suksesshme të kombit tonë në këto kohë globalizimi!”


