Gjatë seancës së sotme parlamentare, deputetja e PD-së dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit Tabaku iu përgjigj postimit të Ramës në Twitter duke u shprehur se raporti i DASH është “copy-paste” pasi në fund të ditës korrupsioni dhe njeriu kyç i korrupsionit është “copy-paste”.
“Ndërkohë nga ana tjetër kemi të publikuar dhe raporti i DASH për “Të Drejtat e Njeriut” dhe për këtë dëgjova një deklaratë të kryeministrit që u shpreh se kjo është një copy-paste e vitit të kaluar. Pa dyshim që është diçka e tillë, pasi edhe korrupsioni është copy-paste i vitit të kaluar. Po i njëjti korrupsion, i përhapur në çdo qelizë dhe po i njëjti njeri është kryeministër. Po të ishte larguar Rama, ata që sot bëjnë korrupsion ato figura që sot zhvillojnë korrupsionin endemik do të ishin pas hekurave do ishte ndryshe. Nëse do të ishin përpara drejtësisë ata persona që bëjnë korrupsion në çdo zyrë të qeverisë, në çdo kontratë koncesionare përfshirë edhe inceneratorët. Po, po edhe tek inceneratorët që e kam shumë përzemër që ta them sot nuk do kishim këtë raport të DASH-it, do kishim një raport tjetër. Nëse zgjedhjet nuk do ishin ndryshuar nga persona me rekorde kriminale, siç thotë DASH por edhe dizenjimi i Departamentit të Thesarit, sot nuk do kishim këtë raport të DASH. Ky raport është copy paste sepse qeveria është copy-paste, vendimmarrësit janë copy-paste dhe korrupsioni është copy-paste. Pasi që Rama po përdor të njëjtët personazhe, të njëjtën skemë”.
Më tej Tabaku e cila fokusin e temës së saj e pati tek shpallja non grata dhe bllokimi llogarive të ish deputetit të mazhorancës Rakipi dhe tek raporti i DASH i kujtoi qeverisë se të dy raportet nga SHBA tregojnë abuzimin me zgjedhjen dhe blerjen e votave.
Tabaku solli në vëmendje se ishin votat e Rakipit në Tiranë që ishin sa 6.9% e totalit të PS dhe ato në Elbasan për një tjetër kandidat që ishin sa 13% e totalit të PS që ndikuan në zgjedhje.
Përgjigjen, u shpreh Tabaku, e gjen në këtë paragraf të vendimit të Departamentit të Thesarit dhe Departamentit të SHBA e cila shprehet konkretisht “Krimi organizuar mbetet një kërcënim serioz në Shqipëri dhe aktorët kriminal mbajnë ende influencën e tyre në politikën shqiptare, duke përdorur para dhe dhunën për të çuar vota tek kandidatët e tyre të preferuar”


