Fëmijët e prindërve të rënë në krye të detyrës përfitojnë nga sot statusin “Fëmijë në Përkujdese të Republikës”.
Në mesin e tyre ishte edhe familja e mjekut të ndjerë Drini Dobi, i cili humbi betejën me Covid-19.
Me zërin duke iu dridhur, disa fjalë për të kishte Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
“Doktor Drini Dobi për të gjithë ata që e njihnin, por edhe ata që kanë dëgjuar të flitet për të, ishte nga ata mjekë që nuk kursehej për askënd, Mund ta merrje Doktor Dobin në mes të natës dhe ta pyesje për një pacient, ai nuk thoshte si kishte qenë pacienti gjatë ditës, por vraponte në spital dhe këtë e kam përjetuar vetë dhe të jepte informacionin e fundit duke e trajtuar, duke u kujdesur për çdo pacient.
Ai së fundmi drejtoi një prej shërbimeve tona më të reja, shërbimin e strokut në spitalin e neurologjisë në QSUT ku punoi me një devotshmëri të lartë dhe një ndjenjë me të vërtetë të madhe të përgjegjësisë, humanizmit dhe sakrificës”.
“Nuk kurseu as jetën e tij, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme që u bënë për të shpëtuar doktor Dobin nga kthetrat e virusit të rrezikshëm të Covid 19 ndërkohë që vijonte shërbente pa u ndalur për pacientët.
Boshllëkun që la pas për familjen e tij, për kolegë të tij, për mjekësinë shqiptare nuk mbushet dot, por me këtë gjest dhe me këtë status jam e bindur që do të japim një mbështetje për fëmijët e tij, për Davidin i cili sot është këtu bashkë me motrën, bashkë me nënën e të ndjerit doktor Dobit. Të gjithë ne ndjejmë mungesën e tij…”, tha mes të tjerash Manastirliu.


