Delegacioni përfshin 15 ligjvënës rusë të cilët janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian, duke përfshirë Pyotr Tolstoy dhe Leonid Slutsky.
Tetëdhjetëenjë delegatë të OSBE-së nga 20 vende, përfshirë Francën, Kanadanë, Britaninë, Poloninë dhe Ukrainën, i kanë bërë thirrje qeverisë austriake të ndalojë pjesëmarrjen e rusëve të sanksionuar.
“Është e rëndësishme të mbani mend se parlamentarët rusë janë një pjesë integrale e sistemit të pushtetit dhe bashkëpunëtorë në krimet që Rusia kryen çdo ditë në Ukrainë”, thuhet në letrën, e cila u lexua nga agjenca e lajmeve Associated Press.
“Ata nuk kanë vend në një institucion që ka për detyrë të promovojë dialogun e sinqertë dhe kundërshtimin e luftës”, thuhet mes tjerash.
Delegatët e SHBA-së në Asamblenë Parlamentare nuk ishin në mesin e nënshkruesve të letrës.
Ambasadori i SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter, u tha gazetarëve të premten se delegatët rusë “nuk janë njerëz që e meritojnë të udhëtojnë në vendet perëndimore”. Megjithatë, Carpenter shtoi se “i takon qeverisë austriake të përcaktojë nëse do të japë viza apo jo”.
Zyrtarët austriakë nuk e kanë komentuar letrën.
Më 5 shkurt, Ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg mbrojti vendimin e Austrisë për të lejuar rusët e sanksionuar të hyjnë në vend, duke argumentuar se ishte e rëndësishme të mbaheshin hapur kanalet e komunikimit me Moskën, pavarësisht “sulmit brutal rus kundër Ukrainës”.
Austria, e cila e ka kritikuar Moskën dhe i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, mbetet e përkushtuar ndaj neutralitetit të saj ushtarak të miratuar në vitin 1955.
Qeveria i ka dërguar ndihma humanitare Ukrainës, por jo armë, dhe mbështetja për neutralitetin austriak mbetet e fortë mes publikut dhe strukturës politike.
Austria, e cila u aneksua nga Gjermania naziste në prag të Luftës së Dytë Botërore, deklaroi neutralitetin pas luftës nën presionin e aleatëve perëndimorë dhe Bashkimit Sovjetik. Ajo kërkoi një rol si ndërmjetës midis Lindjes dhe Perëndimit dhe zhvilloi lidhje me Moskën gjatë dhe pas Luftës së Ftohtë./REL


