Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Serbia e ka humbur Kosovën që prej vitit 1999 dhe nuk ka asnjë fuqi që t’i prekë Kosovës asnjë fije floku.
Gjatë një konference për shtyp, mbi situatën në veri të Kosovës, i pyetur se pse kishte tani këtë shqetësim, Rama tha se ishte i shqetësuar për tonet ultimative të aleatëve për Kosovën që sipas tij, mund të sjellin pasoja të pallogaritshme, ndër të cilat ai përmendi rritjen e numrit të trupave në Kosovë, që do të thotë ulje e kapacitetit sovran të Kosovës.
“Jam tejet i shqetësuar për tkurrjen dramatike të Kosovës në sytë e aleatëve dhe për tonet ultimative të aleatëve, gjë që mund të sjellë pasoja të pallogaritshme në shumë aspekte, duke filluar nga pasoja të rritjes së numrit të trupave në Kosove që do të thotë ulje e kapacitetit sovran të Kosovës. Ose do të thotë humbje e Kosovës në aspektin e humbjes së një shansi mundësie për të integruar plotësisht Veriun në jetën e vet institucionale”, tha Rama.
Ai shtoi se, kjo do të ishte një gjë e tmerrshme nga pikëpamja e interesave tona.
“Për këto jam shumë i shqetësuar, jo për ato që shqetësohen të tjerët, as për ato që proklamohen si kërcënime ndaj Kosovës. Kosova që prej 1999-ës nuk është nën asnjë kërcënim. Nuk ka kërcënim për Kosovën. Kërcënimi është vetën në mendjen e politikanëve në Kosovë dhe është vetëm një mënyrë për të bërë politikë të brendshme duke përdorur hijen e një kërcënimi që nuk ekziston”, u shpreh Kryeministri.
Rama deklaroi se Serbia e ka humbur Kosovën përfundimisht në vitin 1999 dhe nuk ka asnjë fuqi që t’i prek Kosovës asnjë fije floku.
“Këtë e di cilido që e shikon skenën pa interesat elektorale brenda Serbisë apo Kosovës”


