Drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Genc Mamani bëri të ditur sot se, legjislacioni shqiptar për mbrojtjen dhe sigurimin e depozitave bankare është në përputhje me BE-në.
Mamani raportoi sot në Kuvend mbi disa nga treguesit kryesorë të sistemit të depozitave bankare dhe shoqërive të kursim-kreditit për vitin 2022.
Ai theksoi se, “Agjencia e Sigurimit të Depozitave Bankare është e angazhuar që edhe për vitin 2023 të përmbushë mbrojtjen e konsumatorit përmes kompensimit të depozitave nëse do të jetë e nevojshme dhe mbrojtjen e sigurisë së depozitave”.
Ai tha se, treguesit në sistemin bankar dhe financiar mbeten të shëndetshëm dhe qëndrueshëm, pavarësisht zhvillimeve globale që kanë dhënë ndikim edhe në vendin tonë.
“Në fund të vitit 2022 totali i depozitave në sistemin bankar ishte 1,518 miliardë lekë, ndërsa detyrimi i Agjencisë për kompensim në fund të këtij viti ishte 826,7 miliardë lekë, për 1,826,108 depozitues. Në fund të vitit 2022, vlera e depozitave të sigurueshme që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 1,425.2 miliardë lekë, duke përfaqësuar 94 % të totalit të depozitave. Krahasuar me një vit më parë këto depozita u rritën me 5.9 %, ndërsa rritja në vlerë absolute është 67.8 miliardë lekë”, tha Mamani.
Sipas tij, peshën më të madhe të totalit të depozitave të sigurueshme për fundin e dhjetorit 2022, e zënë ato në euro, të cilat, të shprehura në kundërvlerën në lek zënë 48.2 % të këtij totali, ndjekur nga depozitat në lekë me peshë 45.7 %, dhe depozitat në USD, me kundërvlerën e tyre në lekë, me 4.2 %.
“Depozitat e sigurueshme të individëve në sistemin bankar për fundin e vitit 2022 arritën 1,161.5 mld lekë, dhe përbëjnë pjesën më të madhe të totalit të depozitave të sigurueshme, konkretisht 82 % të tyre, ndërkohë që 18 % janë depozita të sigurueshme të tregtarëve dhe shoqërive tregtare. Depozitat e siguruara në sistemin bankar arritën vlerën 826.7 miliardë lekë në fund të vitit 2022, duke përfaqësuar 54 % të totalit të depozitave në sistemin bankar. Rritja vjetore e depozitave të siguruara ishte 4.35 %”, u shpreh Mamani
Mamani vuri në dukje se totali i depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit për fundin e vitit 2022 ishte 10.3 miliardë lekë, nga 9.6 miliardë lekë që ishte në fund të dhjetorit 2021.
Sipas raportit, detyrimi i Agjencisë për kompensimin e depozitave të siguruara në shoqëritë e kursim-kreditit është rreth 7.4 miliardë lekë, apo 21,154 depozitues. Kjo shumë përbën 72 % të totalit të depozitave, ose 73 % të depozitave të sigurueshme.


