Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali reagoi sot pas fjalës së ish-Kryeministrit Sali Berisha në Kuvend mbi situatën në Kosovë, duke deklaruar se Sali Berisha projekton fajet, gabimet dhe brejtjet e ndërgjegjes së tij te tjetri.
“Sali Berisha fole këtu hartën e Evropës, që sipas teje donin ta ndanin mes Shqipërisë dhe Serbisë. Këtë nuk e ka thënë askush dhe pate ti guxim ta thuash. Dhe për këtë bëre fajtor dy njerëz. Miladinin shqipfolës dhe Zografin bis.
Miladini shqipfolës ishte drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, shpallësi i pavarësisë së Kosovës, kryesuesi i grupit të Rambujesë, ndërkohë që ti bëje thirrje që marrëveshja të mos firmosej, ndërkohë që ti, sipas dëshmive të Remzi Hoxhës, që nuk dihet ku shkoi, me njohuri tënden thonë disa, por kjo duhet hetuar e duhen gjetur fajtorët, marrëveshja apo marrëdhënia me Milosheviçin ishte krejt ndryshe, apo të njëjtën kohë kur ti, në dokumentet e deklasifikuara të CIA-s deklaroje se as Ibrahim Rugova as këta enveristët me prirje për të vrarë, nuk duhet të pretendojnë pavarësinë e Kosovës.
Zografi bis nuk ka bërë kurrë asnjë marrëveshje deti me Greqinë që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, nuk ka furnizuar kurrë me naftë makinerinë vrasëse të regjimit të Millosheviçit, siç kanë dalë provat, apo e ke pranuar vet pafuqinë apo bashkëpunimin.
Zografi bis e ka krijuar traditën e mbledhjeve të përbashkëta mes dy qeverive dhe ka përfshirë personalitete të larta të Kosovës në qeverisje, që ti nuk e bëje kurrë“, iu drejtua ajo Berishës.
Spiropali foli dhe për përpjekje të qeverisë shqiptare për ndikim pranë qeverive të botës në përkrahje të Kosovës, ndërsa theksoi edhe se reputacioni i Shqipërisë dhe ndikimi i saj janë shtuar në mënyrë eksponenciale me largimin e Berishës nga qeverisja.
“Atë që ti paturpësisht bëre në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, kundër atij që e quan Miladimi shqipfolës, me miratimin e rezolutës së Dick Marty për hetimin e trafikut të organeve nga UÇK, po tentojmë ta zhbëjmë ne, duke mbledhur firmat në Asamble dhe duke paraqitur aty një rezolutë të re anti-Dick Marty”, u shpreh Spiropali.
Spiropali, më tej akuzoi Berishën se sa herë ka probleme serioze me drejtësinë e politikën dhe sa herë i mblidhet laku nga partnerët ndërkombëtarë, flet për patriotizmin e tij, që siç u shpreh ajo “nuk e pati kurrë“.
Ndërkohë, shtoi Spiropali, Kryeministri Rama ka punuar përditë që të dy vendet të afrohen realisht e të fitojnë peshë në rajon. Dhe sot, vuri në dukje Spiropali, janë faktor kryesor i stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe partneri kryesor i SHBA, BE dhe NATO.


