Presidenti i Republikës ka kaluar pa dekret, dy ligjet e miratuara në Kuvendin e Shqipërisë gjatë seancës së fundit plenare.
Bëhet fjalë për ligjin që i hap rrugën legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe ligjit që u ofron lehtësira studentëve të Mjekësisë, nëse ata pranojnë të japin kontributin e tyre si mjekë në vendin tonë për 5 vite pasi përfundojnë studimet.
Dy ligjet në fjalë u miratuan më datë 21 korrik 2023, në seancën e fundit plenare të sesionit të shkuar në Kuvend dhe sipas Kushtetutës, konkretisht pika 2, neni 84, në rast se Presidenti i Republikës nuk i dekreton ligjet brenda një afati 20-ditor, ligjet futen automatikisht në fuqi.
Kështu, tanimë dy ligjet, i pari që i hap rrugën legalizimit të kanabisit mjekësor dhe ligjit që u jep lehtësira studentëve që pranojnë të vijojnë të japin kontributin e tyre si mjekë në Shqipëri pas studimeve, kanë hyrë në fuqi.



