Vokshi: Nuk janë ulur ditëqëndrimet në spitale

Mos i humb

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, pjesë e grupit të Rithemelimit, solli sot në vëmendje disa statistika të FSDKSH-së, që sipas saj, tregojnë se “nuk janë ulur ditëqëndrimet në spitale”.

Përmes një deklarate për shtyp, Vokshi reagoi pas inspektimit të kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

“Edi Rama vërtetoi edhe një herë që është ai ideatori dhe urdhëruesi i skemës korruptive të inceneratorëve të shëndetësisë, në rastin konkret të sterilizimit. Rama dhe Manastirliu ishin sot te spitali ‘Shefqet Ndroqi’, për të mbrojtur një krim i cili ka sjellë jo vetëm kosto financiare duke i shkaktuar dëm të lartë buxhetit të shtetit, por edhe kosto të lartë shëndetësore, humane”, tha ajo.

Ndërsa risolli në vëmendje shkeljet e rënda me procesin e sterilizimit të denoncuara edhe më parë nga PD, Vokshi u shpreh se “vetë stafet mjeksore deklarojnë se në operacione të caktuara kërkohet hapja e dy ose më shumë seteve kirurgjikale për të njëjtin grup instrumentash kirurgjik që do duhet të ishin brenda një seti të vetëm, bazuar në tipologjinë e operacionit dhe shkallën e kompleksitetit të tij.

“Nga kjo rezulton se për një operacion Fondi i paguan konçesionarit dy apo trefishin, pra për një operacion Fondi mund të paguajë edhe 1 milion lekë të vjetra për sterilizimin për një operacion. Në shumë raste, mjekët shprehen se për të bërë një ndërhyrje mund t’ju duhen vetëm disa nga veglat e një seti, por ata janë të detyruar të hapin të gjithë setin dhe për pasojë FSDKSH paguan të gjithë setin, dhe kjo vlen edhe për ndërhyrje shumë të vogla”, shtoi ajo.

Vokshi theksoi se shpesh duke abuzuar përdoren sete me intensitet më të lartë për ndërhyrjet duke shkaktuar dëm të lartë buxhetit të shtetit.

Vokshi theksoi se “për fat të keq, nuk janë ulur ditëqëndrimet në spitale”.

“Nga të dhënat e FSDKSH-së  që monitoron dhe kontratën e ‘Sani Service’ si dhe në raportet vjetore të këtij institucioni, rezulton së ditëqëndrimi mesatar në vitin 2015 në Spitalet Rajonale është 4.0 dhe në spitalet Bashkiake është 4.6 ditë. Në vitin 2022 ditëqëndrimi mesatar për spitalet rajonale rezulton 4.2 (pra me rritje) dhe më e theksuar rritja rezulton në Spitalet Rajonet Berat, Elbasan, Shkodër dhe Durrës”, shtoi ajo.

I njëjti fenomen, sipas Vokshit, vërehet edhe në Spitalet Universitare ku në vitin 2022  numri i ditëqëndrimit mesatar krahasuar me 2020 ngelet i njëjtë (me 3.8 ditë).

“Opozita ka denoncuar krimet shëndetësore por edhe ka propozuar alternativa për përmirësimin e shërbimeve shëndetësire cilësore. Askush nuk është kundër përmirësimit të cilësisë”, tha ajo.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit