Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina, përmes një deklarate për mediet akuzoi sot kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj se ka dështuar me projektin për ndërtimin e shkollave të reja, pasi ende në kryeqytet vijon mësimi me turne.
Sipas Karabinës, skema e përdorur nga bashkia e Tiranës e taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore ka dështuar.
“Çdo familje në Tiranë paguan 1,800 lekë në vit, ndërsa bizneset, organizatat jofitimprurëse, institucionet, profesionet e lira dhe sektori i transportit e kishim taksimin progresiv nga 4 mijë lekë deri në 37 mijë lekë në vit. Në “fazën e parë” të taksimit të përkohshëm për 7 vitet e kaluara, (sipas ligjit taksa e përkohshme është 3-vjeçare) bashkia Tiranë mblodhi rreth 4.8 miliardë lekë ose gati 45 milionë euro”, theksoi Karabina.
“Megjithëse ajo e shtyu afatin për të mbledhur më shumë para edhe për 3 vite të tjera (2023-2025), rezulton se dështoi të realizonte objektivin për ndërtimin e 17 shkollave, përmes një skeme të “Partneritetit Publik Privat” (PPP) që ishte pjesë e vizionit politik të kryebashkiakut Erion Veliaj për përmirësimin e infrastrukturës arsimore”, vijoi ajo.
“Studimi i fizibilitetit më 2016-ën “Përmirësimi i infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës” parashikonte ndërtimin e 17 shkollave të reja që do të ngriheshin nga koncensionarët, të cilët do të likuidoheshin brenda 7 viteve nga dorëzimi i shkollës dhe do i paguhej shtesë një interes vjetor 6.28 përqind e kostos së ndërtimit. Kostoja e parashikuar për koncesionin e parë dhe të dytë PPP – për të cilin u lidhën kontratat, është gati 3.7 miliardë lekë ose gati 35 milionë euro. Ndërsa të ardhurat nga taksa në shtatë vitet e kaluara ishin gati 45 milion euro”, tha Karabina.
“Në dy koncesionet e para janë përfunduar vetëm 9 shkolla, duke dëshmuar se skema e taksimit në fazën e parë nuk ishte e mjaftueshme për ndërtimin e të 7 shkollave të tjera ose kostot e ndërtimit kanë qenë përtej parashikimeve të bashkisë. Bazuar në listen e investimeve të Bashkisë Tiranë rezulton se nëpërmjet skemës PPP janë ndërtuar 9 shkolla, nga 17 që ishin parashikuar, të cilat kanë përfunduar të gjitha në vitin 2022, kur mbaroi edhe afati i parë i taksës së përkohshme. Pra, skema me PPP e Erion Veliajt për ndërtimin e shkollave ka dështuar!”, nënvizon Karabina.
Sipas saj, “pasojat e këtij ndëshkimi janë mësimi me 2 dhe 3 turne në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme. Erion Veliaj gënjen ditën për diell kur thotë se nuk ka më shkolla me turne. Familjet shqiptare, prindërit e dinë fare mirë se mësimi ende në shumë shkolla vazhdon të kryhet me dy dhe tri turne, pasi dendësia e nxënësve nuk e lejon zhvillimin e mesimit normal. Kujtojmë që Bashkia Tiranë përveç fondit të qeverisjes vendore, përmirësimi i infrastrukturës shkollore lidhet dhe me dy instrument të rëndësishëm financiare pas tërmetit të 2019-ës, programi i rindërtimit të financuar nga buxheti i shtetit me fond rreth 6 miliardë lekë, si dhe programi “EU4Schools”, i zbatuar nga UNOPS dhe i financuar nga Bashkimi Europian”, shtoi Karabina.
“Shembulli i Bashkisë së Tiranës për të shtuar të ardhurat për infrastrukturën arsimore është ndjekur nga të paktën 5 bashki të tjera ku bashkitë Kamzëz, Kavajë, Dimal dhe Berat i vjelin të ardhurat nëpërmjet tarifave, ndërsa bashkia e Gramshit nëpërmjet një takse të përkohshme”, tha ajo.
“Partia Demokratike i kërkon institucioneve përkatëse të reagojnë dhe të marrin masa për transparencë të njësive të qeverisje vendore në lidhje me taksën për infrastrukturën arsimore me qëllim ndalimin e abuzimit dhe dënimin e tij, dhe realizimin e plotë të saj në përmirësimin e infrastrukturës shkollore”, përfundoi Karabina.


