Në mungesë të Presidentit Aleksandër Vuçiç që zgjodhi të ishte në Kinë, Serbinë në samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt një ditë më parë në Tiranë e përfaqësoi kryeministrja Ana Brnabiç.
Por edhe prania e saj duket se ishte krejt formale, çka ra në sy edhe në përshëndetjen e ftohtë që ajo pati me Kryeministrin Edi Rama në nisje të samitit.
Këtë ftohtësi e konfirmoi edhe vetë Brnabiç, e cila duke folur për mediat serbe sqaroi se ky qëndrim ka lidhje me kërkesën e Ramës për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë.
“Nuk mund të përshëndetesha ngrohtë me njeriun që propozoi sanksione ndaj Serbisë. Ne duam marrëdhëniet më të mira të mundshme me Shqipërinë, si me të gjitha shtetet në rajon. Nuk jam e lumtur, nuk e di pse e ka bërë Rama atë deklaratë se nuk ka kuptim, kjo nuk është në përputhje me marrëdheniet e mira fqinjësore apo në përputhje me atë që ne kemi bërë si pjesë e iniciativës për Ballkanin e Hapur”.
Sipas Brnabiç, të gjithë zyrtarët e BE-së në Samitin e Tiranës mbështetën themelimin e bashkësisë së komunave serbe.
Ishte fatkeqësi, sipas saj, që Kurti refuzoi të gjitha propozimet e BE-së për shpronësimin e tokave në Kosovë dhe se kjo tregon shkallën e sundimit të ligjit në Kosovë nën pushtetin e tij.
Në fakt përshëndetja e ftohtë me Kryeministrin Rama nuk ishte sjellja e vetme demonstrative e Brnabiç për sjelljen e Tiranës zyrtare karshi konfliktit mes Prishtinës dhe Beogradit.
Kjo pasi ajo mungoi edhe në foton zyrtare të bërë pas përfundimit të sesionit të parë të Samitit të së hënës, ndonëse më vonë u përpoq të justifikohej se kjo nuk kishte qëenë e qëllimshme.


