Punimet për zgjerimin e aksit rrugor Elbasan-Qafë Thanë po vijojnë me ritme të shpejta. Kryeministri Edi Rama publikoi pamje nga punimet që po zhvillohen në lotin e dytë të këtij aksi, i cili është pjesë e Korridorit 8 me ndikim në zhvillimin e turizmit.
“Po punohet me ritme për plotësimin e Korridorit 8 ku kanë nisur punimet edhe në Lotin 2 për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Ky aks do të transformohet tërësisht dhe do të shkurtojë distancat me rreth 20 km duke u kthyer në një rrugë interurbane me katër korsi”, theksoi Rama në rrjetet sociale.
“Po punohet gjithashtu me gërmimin, me sistemimin, shtrimin e rrugës brenda kantierit si edhe me përforcimin dhe betonimin e digës lumore”, përfundoi Kryeministri Rama
Rruga Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e korridorit VIII, është një nga projektet infrastrukturore për zhvillimin e turizmit në zonën juglindore të vendit, si dhe lidhjes së vendit tonë me Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Bullgarinë.
Kjo rrugë së bashku me së bashku me aksin Durrës – Prishtinë – Nish do t’i japë Portit të Ri Tregtar të Durrësit rolin strategjik, si nyje lidhëse Lindje – Perëndim për lëvizjen e mallrave.
Aksi rrugor fillon në dalje të qytetit të Elbasanit, në fshatin Labinot Fushë dhe përfundon në kilometrin 44, në afërsi të pikës doganore Qafë Thanë. Projekti shtrihet në një gjurmë tërësisht të re buzë lumit Shkumbin.
Deri tani janë realizuar 95% e veprave të artit si ura, tombino, bokse. Po ashtu, ka përfunduar mbrojtja lumore dhe janë në përfundim shtresat mbushëse të trupit të rrugës dhe në total ka përfunduar 42% e punimeve.


